Skandaloze: Bllokim me Shqipërinë e miliona euro më shumë – si e izoluan Kosovën politikat e Qeverisë dhe KOSTT-it
Kosova, nëpërmjet KOSTT-it e krijimit të “ALPEX” me Shqipërinë, është bllokuar në aspektin energjetik, duke i shkaktuar vetes pasoja të mëdha ekonomike. Këto politika jo vetëm që kanë izoluar vendin në fushën energjetike, por edhe kanë rënduar gjendjen financiare të konsumatorëve, raporton Paparaci.
Ankthi i të 2000-tave është kthyer sërish te populli kosovar ndonëse në kalendar shënon fundi i vitit 2024. Reduktimet e energjisë elektrike janë rritur dukshëm kohëve të fundit, si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme në sektorin e energjisë elektrike.
KEDS-i ka njoftuar se reduktimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke ‘fajësuar’ qytetarët për konsum të lartë të energjisë, e duke e ‘shfajësuar’ KEK-un për mungesë të energjisë elektrike.
Mafia energjetike ka lënë edhe njëherë tjetër popullin në ‘terr’ duke u shqetësuar vetëm për pasurimin në xhepat e tyre.
I nisur si një projekt shprese e transformimi në sektorin e energjisë elektrike, kryeministri Albin Kurti në mars të këtij viti me plotë ngazëllim kishte njoftuar për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike mes Kosovës e Shqipërisë, “ALPEX”.
“Ky funksionalizim po shënon një bashkëpunim i cili luan rol në zhvillimin ekonomik dhe atë të transparencës në sektorin e energjisë dhe në transformimin në sektorin energjetikë në harmoni me strategjinë tonë kombëtare të energjisë”, kishte thënë Kurti në përurimin e këtij bashkëpunimi.
Fatkeqësisht, me krijimin e ALPEX, ku themelues janë KOSTT nga Kosova dhe OST nga Shqipëria, dy linjat e interkonieksionit, përkatësisht 400 kV dhe 220 kV janë vënë komplet në dispozicion të ALPEX.
Kësisoj, politikat e KOSTT-it dhe Qeverisë e kanë izoluar Kosovën në aspektin energjetik.
Si pasojë e këtij bashkëpunimi, Kosova ka humbur qasjen në tregje ndërkombëtare përmes Shqipërisë.
Kosova ka humbur bashkëpunimet me tregun italian, grek dhe maqedonas.
Me krijimin e “ALPEX” asnjë kilovat nuk mund të kalojë jashtë kësaj berze. E për shkak se Kosova dhe Shqipëria janë vende importuese të energjisë elektrike, sasia që shkëmbehet mes dy vendeve është shumë e ulët.
Lidhja e Kosovës me tregun ndërkombëtar mund të realizohet vetëm përmes Malit të Zi ose Maqedonisë.
Për shkak të “vetëbllokimit” ndërkombëtar, Kosova detyrohet të paguajë miliona euro më shumë për importin e energjisë elektrike.
Vetëm për transport të energjisë eleketrike përmes Maqedonisë dhe Malit të Zi, Kosova paguan deri në 400 euro për MW, e nëse vazhdohet me këtë sistem, çmimi i energjisë elektrike pashmangshëm do të rritet.
Pra, kur çmimi në berza ka qenë 300 euro/MW, Kosova rrjedhimisht KOSTT-i, ka paguar deri në 700 euro për MW.
Sipas projeksioneve të fundit taksat dhe kostot mund të arrijnë deri në 30 milionë euro këtë vit, nga 2 deri në 3 milionë sa kishin kushtuar në të kaluarën.
Me pranimin e KOSTT-it në ENTSO, Serbia kishte bllokuar linjat e transmisionit me Kosovën.
Pra nga 6 linja me botën sa kishte gjithsej Kosova deri në qeverisjen me Albin Kurtin, tashmë kanë mbetur vetëm 2.
Kritikat janë drejtuar ndaj KOSTT-it dhe Qeverisë së Kosovës, të cilat nuk kanë ndërmarrë hapa për të zhbllokuar linjat e transmetimit me Serbinë përmes ENTSO, por përkundrazi kanë kontribuar në bllokimin e linjave me Shqipërinë.
Kjo situatë ka krijuar hapësirë për përfitime të mëdha nga tregtarët privatë, të cilët vetëm sivjet dhe vitin e ardhshëm parashikohet të përfitojnë deri në 70 milionë euro shtesë në kurriz të qytetarëve kosovarë.