Skandal || Asnjë urdhër-arrest as vendor as ndërkombëtar për Enver Sekiraqen
Më shume se një javë janë bërë kur për vendndodhjen e Enver Sekiraqes nuk dihet asgjë, shkruan Periskopi.
Ai momentalisht nuk dihet se ku ndodhet.
Sekiraqa që së fundi u dënua nga Gjykata me 25 vjet burgim si i akuzuar për shtytje të vrasjes se policit të Kosovës Triumf Riza.
Ky dënim, atij iu shqiptua më 3 maj dhe më 17 maj kur policia e kërkoi në shtëpinë e tij u kuptua se Sekiraqa është arratisur nga Kosova.
Krejt çka ka ndodhur me ketë rast deri tani është se policia e Kosovës para tre ditësh ka lëshaur një komunikate për media, ku kërkon nga qytetarët se kushdo që ka informacion për vendndodhjen e tij ta lajmëroi policinë.
Deri në këto momente Enver Sekiraqa as nuk është arrestuar e as nuk dihet për vendin se ku po fshihet.
E kjo, ndoshta mund të ndodh edhe për një kohë të gjatë (mosarrestimi i tij) për shkak se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka marrë asnjë vendim ose urdhër-arrest për Enver Sekiraqen.
Madje për të, nuk ka as urdhër arrest ndërkombëtar.
Krejt këto i kanë thënë burime të sigurta të Periskopit.
“Deri në këtë momente nuk ekziston asnjë urdhër-arrrest, as vendor e as ndërkombëtar për Enver Sekriaqen’, kanë thënë burime të sigurta të Periskopit.
Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga Gjyakata Themelore për këtë çështje, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.
Si u arratis Enver Sekiraqa?
Gjykata në momentin kur i dha vendimin e fundit Enver Sekiraqes për rastin e Triumf Rizës, kishte vendosur masën e lirimit në shtëpi deri në plotfuqishmërinë e vendimit.
Kjo kishte bërë që Enver Sekiraqa me lehtësi të arratiset nga Kosova, për shkak të masës së shqiptuar.
Sikur ai të ndodhej në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e vendimit, situata do të ishte krejt ndryshe.
Por ky vendim i ka kushtuar gjyqatrit Agim Kuçi të cilin e ka suspenduar nga puna Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës para pak ditësh njoftoi se ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me dyer të mbyllura, në të cilën ka vendosur për suspendimin e gjyqtarit Kuçi.
Suspendimi erdhi pasi i njëjti më 3 maj 2024 pas shpalljes së dënimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën, mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri
Çka bëri policia për arresitmin e Sekiraqes?
Policia e Kosovës të premten e kaluar përmes një njoftimi publik kërkoi ndihmë nga qytetarët për vendndodhjen e Enver Sekiraqes.
Policia ka publikuar fotografinë e tij dhe të dhënat, duke e kërkuar si të dënuar për veprën penale “shtytje në kryerjen e vrasjes së rendë”, në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor ose nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, të gjitha thirrjet në numrin 080019999 janë anonime, pa pagesë dhe konfidenciale. Ju mund të dërgoni informatat e juaja edhe në adresën elektronike [email protected]” – ka apeluar Policia më 23.05.2024.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, vrasje që ka ndodhur në vitin 2007.
Në seancën e sotme, gjykata ka vendosur që Sekiraqa të dënohet me 25 vjet burgim.
Sekiraqa kishte mohuar të ketë pasur ndonjë konflikt me të ndjerin, Triumf Riza.
Ai kishte deklaruar se Arben Selmanaj e kishte goditur me revole në kokë, me ç’rast e kishte humbur vetëdijen e se nga plumbat Triumf Riza i kishte shpëtuar jetën.
“Arben Selmanaj m’ka ra mua me revole në kokë, mbrapa, mandej unë jam kanë pa vetëdije, aty çka u bë nuk e di, veç kur e kam pa veten në spital. Unë prej plumbave kam thënë se ma ka shpëtu
Triumfi jetën, më ka ngreh prapa shankut”, kishte deklaruar Enver Sekiraqa.
Vlen të theksohet se Enver Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga shkalla e parë, por çështja ishte kthyer në rigjykim.
Më 17.05.2016 ishte dënuar me 37 vjet dënim me burgim kurse herën e dytë ishte dënuar (16.09.2019) me 30 vjet dënim me burgim.
Polici nga Kaçaniku, Triumf Riza ishte vrarë më 30.08.2007 në Prishtinë.
Lidhur me vrasjen e tij është gjykuar dhe dënuar me burgim Arben Berisha.