Situata me lojtarët e Kosovës, Bushi: Unë kam marrë lojtarë shqiptarë, jo lojtarë të Kosovës
Përzgjedhësi i Kombëtares U20 të Shqipërisë, Alban Bushi, ka sqaruar situatën e krijuar ditëve të fundit që lojtarët kosovarë po kalojnë te shqipëria.
Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha janë dy futbollistët kosovar që së fundi kanë kaluar nga Kombëtarja U21 e Kosovës në atë të Shqipërisë, shkruan Periskopi.
Largimi i tyre, por edhe i të tjerëve, vazhdon të shihet si një problem serioz për Kosovën, teksa edhe reagimet po janë të shumta.
Trajneri Alban Bushi tha se ai nuk ka marrë lojtarë të Kosovës, por shqiptarë.
“Unë kam marrë lojtarë shqiptarë, jo lojtarë të Kosovës. Unë mendoj se si Kosova si Shqipëria është njësoj dhe çdokush që flet shqip sot në botë dhe është lojtar cilësor, ne jemi të detyruar për ta ftuar në ekipin kombëtar. Pastaj është në dorë të lojtarit, nëse zgjedh Kosovën apo Shqipërinë. Bëhet fjalë për dy lojtarë siç janë Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha, të cilët kanë qenë pjesë e Kosovës sezonin e kaluar, por para se të shkonin te Kosova kanë pjesë edhe ekipeve të moshave të Shqipërisë, por për arsye të procedurave të tej zgjatura në pajisjen me pasaportë shqiptare ata luajtën me Kosovën dhe tani kanë zgjedhur të luajnë me Shqipërinë. Kështu që nuk shoh ndonjë problem të madh. Ka pasur edhe lojtarë të cilët kanë luajtur me Shqipërinë dhe tani përfaqësojnë Kosovën dhe lojtarë të Kosovës dikur që tani luajnë me Shqipërinë, kështu që nuk shoh asnjë lloj problemi në këtë aspekt. Më duket pak e habitshme kur dëgjoj për polemika pasi të gjithë flasin shqip dhe të gjithë duan të përfaqësojnë flamurin kuqezi”, deklaroi Alban Bushi.