Sindikata e RTK-së paralajmëron se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse buxheti nuk trajtohet me urgjencë nga Kuvendi
Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës të enjten ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse çështja e buxhetit për transmetuesin publik nuk trajtohet me urgjencë nga Kuvendi.
Në një reagim për media, Sindikata është shprehur e zhgënjyer që statusi i RTK-së vazhdon të mos jetë i zgjidhur.
“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së shpreh zhgënjimin e saj të thellë ndaj të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, të cilat deri më tani nuk kanë arritur ta zgjidhin statusin e RTK-së. Miratimi i një ligji të ri që do të rregullonte çështjet e pronës dhe financimit të pavarur të transmetuesit publik është mëse i domosdoshëm për funksionimin e tij”, thuhet në reagim.
Sindikata ka thënë se janë të indinjuar që në kohë fushatash u premtohet rritje page, kur sipas tyre, punëtorët e transmetuesit publik nuk kanë pasur rritje page nga viti 2006.
“Jemi të indinjuar që edhe në kohë fushatash zgjedhore dëgjojmë premtime për rritje pagash, ndërkohë që RTK-ja operon me një buxhet 2.2 milionë euro më të ulët. Për më tepër, rritja e pagave për punonjësit e RTK-së nuk ka ndodhur që nga viti 2006, duke dëshmuar një neglizhencë të madhe ndaj të drejtave të tyre. Punëtorët e RTK-së, përmes punës dhe tatimeve të tyre, kontribuojnë në zhvillimin e shtetit tonë”, vijon reagimi.
Për këto arsye, Sindikata ka thënë se do të jenë të detyruar t’i drejtohen Kushtetueses nëse Kuvendi nuk ndërmerr veprime.
“Mungesa e mbështetjes nga themeluesi, është një dëm i madh për të ardhmen e transmetuesit publik. Sindikata informon publikisht Kuvendin e Kosovës dhe partitë politike se, nëse çështja e buxhetit të RTK-së nuk trajtohet me urgjencë, do të jemi të detyruar ta adresojmë këtë problem në Gjykatën Kushtetuese. Apelojmë te të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës që të kthejnë vëmendjen ndaj transmetuesit publik, i cili ndodhet në një gjendje të rënduar financiare dhe infrastrukturore. Rëndësia e RTK-së për demokracinë dhe shtetin tonë është e pakontestueshme dhe kërkon mbështetje të menjëhershme”, përfundon reagimi.