Sindikata e punëtorëve të RTK-së kërkon Bord të ri

Sindikata e punëtorëve të RTK-së kërkon Bord të ri

Sindikata e punëtorëve të RTK-së ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, konkretisht nga Komisioni për media, që, në afat sa me të shkurtër kohor, ta kompletojë me anëtarët e rinj Bordin e RTK-së, duke ndjekur procedurat sipas ligjit.

Sindikata kërkon që këtë proces ta monitorojnë organizata kredibile vendore e ndërkombëtare.

“Sindikata i bënë me dije Kuvendit të Kosovës që ta rrisë buxhetin për RTK-në, sepse me buxhetin aktual është e pamundur që RTK-ja të transformohet e të zhvillohet. Janë kaluar të gjitha limitet e pritjes sa i përket pronës, ligjit dhe ndërtimit të objektit dinjitoz që duhet ta ketë mediumi i vetëm publik.

Objektet ku aktualisht punojnë kolegët tanë nuk i plotësojnë as kushtet minimale për funksionim. Sindikata kërkon që të ndalen sulmet ndaj televizionit publik dhe kërkon nga partitë politike dhe individët e caktuar t’i mbajnë duart larg nga transmetuesi publik. Një transmetues publik i fuqishëm dhe i pavarur është në interes të publikut të gjerë në Kosovë dhe për këtë duhet të angazhohemi të gjithë” thuhet në njoftimin e lëshuar nga Sindikata.

Sipas Sindikatës, situata aktuale në RTK, pa kompletimin e Bordit, thuajse është jofunksionale sepse “jemi në kohën kur duhet të merren shumë vendime me rëndësi për të ardhmen e televizionit publik”.

Sindikata ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta shqyrtojë mundësinë dhe ta vendosë RTK-në, në ndërtesën ku aktualisht gjendet “Radio Kosova” dhe për këtë proces të vendosë me ligj që ky objekt t’i takojë RTK-së.

Shpërndaje në: