Si u “përçanë” opozita pas takimit të Memli Krasniqit me Albin Kurtin
Mbrëmë, kryeministri Kurti dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u takuan për një darkë pune ku pjesë e diskutimit ishin edhe zgjedhjet e parakohshme. Kryeministri Kurti nuk e largon mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje në pak muaj, megjithatë me lojë fjalësh mundohet të hedh “hi në sy të popullit” duke përmendur stinët e vitit si opsion për zgjedhje. Teksa në anën tjetër, Krasniqi i do ato në “javët e ardhshme”.
“Diskutime të mira nga pozicione jo domosdoshmërisht të njëjta”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi se pati mbrëmë në një darkë me kryeministrin Albin Kurti.
Takimi u thirr “për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legislative për sesionin pranveror”, siç u tha në ftesën e Kurtit, por Krasniqi u ul përballë për të disktuaur specifikisht për “mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, refuzuan të merrnin pjesë.
Krasniqi tha pas takimit se “Kosova është në agoni” dhe përmendi se “kemi edhe një situatë të vështirë e të rënduar sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”. Kështu, ai tha se Kurtit i kërkoi përshpejtim për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja.
“Andaj ia shpreha edhe kryeministrit Kurti që konsideroj se duhet ta përshpejtojmë punën për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave. Partia Demokratike e Kosovës tashmë e ka nominuar edhe kandidatin e vetë për kryeministër të Kosovës, zotin Bedri Hamza, që konsiderojmë që është kandidati më i duhur për t’iu dhënë zgjidhje dhe përgjigjje këtyre probleme. Por për të arritur deri këtu, një gjë është e domosdoshme, e ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse situata e jashtëzakonshme kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ai para gazetarëve.
Krasniqi kërkoi që “të bëhemi bashkë për të shkuar në zgjedhje bashkë, sepse në fund të fundit zgjedhjet duhet të jenë një qëndrim politik i përgjithshëm”. Tha se PDK-ja është e gatshme për “një dakordësim me të gjitha partitë parlamentare për një datë të re të zgjedhjeve, për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës përmes një mocioni të përbashkët”.
“Unë kam punuar për këtë çështje, pa dëshiruar që ta marrë flamurin e protagonizmit, sepse e konsideroj më të rëndësishme që ta arrijmë këtë moment, se zgjedhjet nuk janë dëshirë e jona, zgjedhjet janë nevojë e vendit, janë domosdoshmëri pikërisht për t’iu dhënë përgjigje me një qeveri të re këtyre çështjeve të cilat i ngrita. Andaj, këto ishin edhe thelbi i diskutimeve që i pata sot, e për të cilat unë besoj që duhet të kemi hapësirë për t’i konkretizuar hapat në ditët në vijim, shpresoj unë”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se “zgjedhjet janë nevojë e vendit, janë domosdoshmëri”, ndërsa shtoi se diskutimet me Kurtin për këtë “duhet të kemi hapësirë për t’i konkretizuar me hapat në ditët në vijim”.
“Unë shpresoj shumë se edhe kolegët nga partitë tjera opozitare do të pajtohen për këtë gjë”, tha Krasniqi, duke përmendur “jofunksionalitetin e Kuvendit”.
“Kryeministri e përfaqëson një parti. Partitë tjera s’ishin sonte këtu. Është e drejtë e tyre. Unë shpresoj që do të ketë takime. Unë kam pasë takime me të gjithë. Por nuk do të flasë për të tjerët. Unë besoj që ka hapsirë dhe unë besoj që ka vullnet, që mund të arrijmë bashkërisht me qëllimin e vetëm që të ketë një restart, të ketë një rifillim, të ketë një ridimensionim të ri të qeverisjes. Unë konsideroj që qeverisja deri këtu nuk ka qenë ajo e duhura. Qytetarët kanë pritur më shumë, më mirë”, tha kryetari i PDK-së.
Ai tha se “duhet një qeveri e re” dhe “për me e bë një qeveri të re, duhen zgjedhje të reja”. Për zgjedhjet e reja, Krasniqi tha se është i interesuar “të diskutojë me secilin”.
“Unë besoj që ditët në vijim qartësojmë shumë gjëra”, tha Krasniqi.
Pas tij para gazetarëve u ndal Kurti, i cili tha se folën “edhe sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt”. Fillimisht, ai përmendi se janë “13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar” dhe për të cilat nevojiten votat e 2/3 të deputetëve.
Kryetari i LVV-së tha se zgjedhjet janë “çështje të muajve”, ndërsa shprehu interesimin për të diskutuar edhe me partitë tjera opozitare “se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës”.
“Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota. Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka. Por njëkohësisht unë nuk do të preferoja që të shpërndahet Kuvendi edhe me dy parti, mbase edhe me tri parti. Pse të mos jemi që të gjithë bashkë. Është në natyrën e opozitës që të kërkojë zgjedhje, ndërkohë që unë jam në vitin e fundit të mandatit dhe qeverisja ime në këtë mandat nuk mund të zgjasë më shumë sesa disa muaj. Për mua nuk është thelbësore a do të qeverisi në këtë mandat edhe dhjetë muaj, tetë apo gjashtë muaj, apo tre muaj. Është e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë, të jemi sa më gjithëpërfshirës për muajin, datën e zgjedhjeve, e më pas debatin ta bëjmë politik e ideologjik për katër vitet e ardhshme”, tha Kurti.
Diskutimi me Krasniqin për zgjedhjet, Kurti tha se është i interesuar “të vazhdojë edhe me të tjerët”, ndërsa përmendi marrëveshjet ndërkombëtare të pamiratuara në Kuvend dhe situatën e përgjithshme politike të shtetit, për të cilat tha se duhet “të diskutohet më shtruar, më gjatë e me gjithëpërfshirje sa më të madhe”.
“Unë i kam ftuar që të gjitha partitë sonte. E falënderoj udhëheqjen e PDK-së që është përgjigjur pozitivisht. Unë do të insistoj që të takohem edhe me të tjerët. Nuk është synimi im ta përjashtojë askënd dhe besoj që marrëveshjet ndërkombëtare që kanë nevojë për 80 vota, e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin”, tha Kurti.
Ky takim mes kryetarit të partisë më të madhe opozitare në vend dhe kryeministrit, nuk u pa mirë nga partitë tjera opozitare, të cilët paraprakisht kishin refuzuar ftesën e Kurtit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se Kurti zgjodhi PDK-në për shpëtimin e tij individual nga dështimet e mëdha.
Sipas Abdixhikut, zgjidhja do të ishte, dorëheqja e Kryeministrit dhe pastaj, si rrjedhojë shpërbërja e Kuvendit.
Zgjidhja është fare e thjeshtë, dorëheqja e Kryeministrit dhe pastaj, si rrjedhojë, shpërbërja e Kuvendit.
Pas tre vjet e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, Kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh.
Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim, ka gjetur aleatin.
LDK-ja nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë.
LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë “Rrugën e Re” si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik.
Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave.
LDK-ja konsideron se, në këto ditë vendimtare, fokusi i institucioneve dhe i partive politike duhet të jetë te çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, proces të cilin, me papërgjegjshmërinë e tij, e ka rrezikuar rëndë vetë Kryeministri.
LDK-ja e refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtejpartiake, si lëvizje shpëtimtare. Gjendja e tanishme, politike, ekonomike, diplomatike e sociale kërkon lidership të ri në Kosovë. Rëndesa ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e larta, sistemi shëndetësor i rrënuar e arsimi i mbetur prapa, sikurse dhe ngecjet enorme integruese për në BE e anëtarësuese për në NATO, po shkaktojnë çdo ditë zbrazjen e Kosovës, me nga 173 qytetarë duke u larguar nga vendi ynë çdo ditë e secilën ditë”.
LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave. LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të Kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Në të njëjtën qasje, është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ku deklarojnë se shpërbërja e Kuvendit do të ndodhë vetëm pas shkarkimit apo dorëheqjes së Kurtit.
“Takimi i mbrëmshëm i ka shpërfaqë dy të vërteta të mëdha. E vërteta e parë është që në këtë takim nuk ka pasur diskutim për temën po për agjendën legjislative. Siç shihet nuk është problem votimi i 300 milion euro të marrëveshjeve ndërkombëtare, por problemi është se si Kurti ta gjejë një dalje, të cilën mund t’ ja mundësojë opozita në mënyrë që atij ti mundësohet një amnisti e keqqeverisjes, e dështimit në politikën e brendshme si dhe të jashtme. Mbi të gjitha të anëtarësimit të Kosovës në KiE. Ne sot jemi në ditën kur në Strasburg ambasadorët diskutojnë a me hy a po jo Kosova në agjendën e Komiteteve të Ministrave. Paramendoni kryeministri i vendit një ditë para se të vendoset për anëtarësimin e Kosovës ai merret me zgjedhje. Me të vetmen arsye me mbulu një marre, me mbulu një dështim total. Sa i përket çështjes që u bë pastaj temë mediale e shpërbërjes së parlamentit. Në shpërbërejn e paralmentit nuk e kemi diskutuar asnjë moment në kuvendin e Kosovës. Ne si Aleancë e kemi propozuar një mocion votëbesimi në Kuvend. Shpërbërja e parlamentit për AAK-në mund të ndodhë vetëm atëherë kur kryeministri shkarkohet ose dorëhiqet”, ka thënë Besnik Tahiri.
Ai ka thënë se si AAK do të takohen me Kurtin nëse ka të bëjë me tema të interesit nacional.
“Aleanaca nuk ka asnjë arsye pse mos me u taku me Kurtin, duhet me ditë për çka me u taku. Ne duhet me ditë temën, qoftë se ka të bëjë një temë të interesit nacional ne këtë e kemi konfirmuar edhe me letër. Për marrëveshje ndërkombëtare dhe për ligje nuk kemi se çka takohemi se Aleanca ja ka japë votën. Për gjatë gjithë këtij mandati veç tre muaj ditë nuk kemi votuar. Gjithmonë i kemi votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Ndërsa për tu takuar sa për të mbuluar një çasje të tij arrogante, arbitrare e shumë nënçmuese që e ka pasur për opozitën nuk kemi çka”, ka thënë ai.
“PDK-ja është deklaruar, PDK ka pasur pozicion të shpërbërjes edhe me herët, të LDK nuk e di. Mirëpo ajo që dua të them në çoftë se ka një parti që i konvenojnë zgjedhjet, parti që është në këtë Kuvend të Kosovës është Alenaca. Po e them pa modesti, për shkak se organizmi strukturor i Aleancës kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm. As në Kosovës e as në diasporë. Edhe unë mendoj që rezultati jonë do të jetë befasia e zgjedhjeve. Mirëpo shkuarja në zgjedhje përmes një marrëveshje kërkon më shumë korrektësi”, ka thënë ai.
Pak më i ashpër me PDK-në ka qenë NISMA, e cila tashmë ka zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor me AAK-në, ku shrehen se Memli Krasniqi është nxituar për t’u takuar me Kurtin.
Sipas tyre, veprimi i kryetarit të PDK-së është i pamatur dhe i dëmshëm.
I pamatur e i dëmshëm, veprimi politik i cili në vete jo vetëm se amniston keqqeverisjen e brendshme të Albin Kurtit, por edhe legjitimon kursin e gabuar diplomatik të kësaj qeverie.
Kosovës i ka munguar zëri opozitar, andaj kërkesa për bashkërendimin e opozitës ka qenë natyrale, derisa hezitimi për të qenë pjesë e një fronti të bashkuar tanimë po deshifrohet me nxitimin e
Memli Krasniqit, i cili para koordinimit me opozitën zgjodhi të dakordohet me Albin Kurtin.
Në rrethanat aktuale, opozita duhet ta ketë vetëm një qëndrim të përbashkët, dorëheqjen e Albin Kurtit apo shkarkimin përmes mocionit, i cili do të rezultonte me shpërbërjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje!
Shpërndarja e Kuvendit pa dorëheqje ose shkarkim të qeverisë është bartje e fajit nga qeveria te Kuvendi edhe pse përgjegjës për degradim të tërësishëm të shtetit në të gjitha sferat e jetës është qeveria dhe jo Kuvendi.
Prandaj, NISMA Socialdemokrate u bën thirrje deputetëve të të gjitha partive të mos pranojnë të shkarkohen nga qeveria por të thërrasin seancë dhe ta shkarkojnë qeverinë!