Si u ndihmua nga Ministria e Aliut “FRUTEX/Golden Eagle” ta shlyej borxhin disa milionësh, për tri vjet pagoi veç 127 euro?

Si u ndihmua nga Ministria e Aliut “FRUTEX/Golden Eagle” ta shlyej borxhin disa milionësh, për tri vjet pagoi veç 127 euro?

Jemi prodhuesi më i madh i kanaqeve në Ballkan, madje edhe më tej se në Ballkan”, deklaronte në një emision televiziv pronari i “FRUTEX/Golden Eagle”, Shaqir Palushi, derisa në faqen e tij në Facebook e ka të postuar se si vetëm pija Golden Eagle e kësaj kompanie që ka edhe shumë produkte të tjera, shitet me gjashtë copë në sekondë.

Por, përkundër gjithë këtij suksesi të jashtëzakonshëm, kjo kompani për lejen e vet ujore nga viti 2019 e deri në vitin 2021 ka paguar vetëm 127 euro e 40 centë detyrime ndaj shtetit.

Derisa, sipas kalkulimeve edhe të ekspertëve që i ka angazhuar Prokuroria Speciale gjatë hetimeve për keqpërdorimet në shlyerjen e borxheve për ambalazhuesit e ujit, kjo kompani llogaritet të ketë borxh të përgjithshëm – i cili mbetet të përcaktohet saktësisht në faza të mëvonshme – rreth 3 milionë e 500 mijë euro.

Përkundër se nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishin konstatuar se kjo kompani ka vepruar jashtë lejes ujore, e ka ndërruar burimin e ujit ilegalisht dhe pa njoftim sipas ligjit, me ndihmën e Naser Hafizit, tashmë në paraburgim për shkak të shlyerjes ilegale të borxhit për kompanitë e ambalazhuesve të ujit, “FRUTEX” arrin që të paguajë me një vendim kundërligjor vetëm 127 euro për plotë tri vjet.

Për këtë vendim ilegal dhe të tjera si ky përveç Naser Hafizit, Udhëheqësi i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është arrestuar edhe Izedin Bytyqi, sekretar i ministrisë dhe kanë filluar hetimet edhe për vetë ministrin Liburn Aliu.

Siç thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale, “me datën 11 mars 2022 (Naser Hafizi) ka iniciuar nxjerrjen e Vendimit Financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për Operatorin Ekonomik ‘FRUTEX’, i cili si aktivitet ka prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve freskues, të cilat për periudhën kohore prej muajit korrik të vitit 2019 deri në dhjetor 2021, i përcakton detyrim financiar shumën prej 127 euro e 40 centë”.

Pjese nga dosja e prokurorise.

Pra, kompania “FRUTEX”, përveç se kishte hapur burim ilegal të furnizimit me ujë për të prodhuar pijet e kompanisë, nuk kishte paguar me rregull as burimin për të cilin fillimisht kishte marrë lejen ujore.

Albanian Post e ka siguruar vendimin financiar për të cilin flet Prokuroria në dosje të rastit.

Sipas këtij vendimi, të lëshuar me 11 mars 2022 dhe të nënshkruar nga Naser Hafizi dhe Izedin Bytyqi, “FRUTEX”-it i ishte mundësuar shlyerja e borxhit të përgjithshëm me pagesa krejtësisht simbolike.

Në pikën dy të vendimit thuhet se “borxhi i përgjithshëm për periudhën korrik-dhjetor 2019, 2020 dhe viti 2021 për Kompaninë e lartpërmendur është 127 euro e 40 cent”.

Vendimi per shlyrjen e borxhit

Albanian Post ka siguruar edhe lejen që “FRUTEX” kishte marrë nga ministria në vitin 2013.

Aty thuhet se kjo kompani aplikon për vetëm 5 litra për sekondë, në anën tjetër deklarimet publike të vetë pronarit të kompanisë tregojnë se kompania prodhon së paku trefishin e lejuar me leje.

Të njëjtës kompani, siç ka raportuar Albanian Post, i ishte gjetur një tjetër burim ilegal, i pa njoftuar dhe pa leje, nga ku furnizohej me ujë për prodhim të pijeve.

Leja Ujore e FRUTEX.

“FRUTEX” edhe në të kaluarën kishte paguar vetëm shifra simbolike për lejen që e posedonte për nxjerrjen e ujit për qëllime të kompanisë.

Për shembull, pagesa për vitin 2018 deri me 2019 është vetëm 29 euro e 30 centë.

Të gjitha këto prova i ka në posedim prokuroria, e cila po vazhdon hetimet.

Pas arrestimeve të Naser Hafizit dhe Izedin Bytyqi, tashmë hetimet janë zgjeruar edhe drejt ministrit Liburn Aliu.

Ekziston dyshim i arsyeshëm se gjatë periudhës prej vitit 2021 deri 2024 në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e Ministrit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerë dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tij zyrtare”, thuhet në aktvendim të prokurorisë.

Vendimi i prokurorise per t’i zgjeruar hetimet edhe ne drejtim te ministrit Liburn Aliu.

Megjithatë, në këtë skemë të shlyerjes së borxheve milionëshe për shifra krejtësisht në shpërpushje me borxhet, janë të përfshirë edhe shumë zyrtarë të tjerë.

Albanian Post pati filluar raportimin për keqpërdorimet me ambalazhuesit e ujit në prill të këtij viti.

Gjithcka kishte nisur kur një sinjalizuese brenda ministrisë i kishte treguar mediumit për keqpërdorimet e mëdha. Ajo, kishte njoftuar edhe prokurorinë.

Para kësaj, e njëjta kishte njoftuar ministrin Aliu për keqpërdorimet dhe gjithashtu përmes e-mailit e kishte kontaktuar kryeministrin Albin Kurti.

E-maili qe i ishte derguar Albin Kurtit nga sinjalizuesja per keqperdorimet me ambalazhues.

Pas alarmit që kishte ndezur brenda institucioneve, ndaj të njëjtës kishte filluar persekutimi i brendshëm, degradimi nga pozita dhe tentimet për ta larguar krejtësisht nga vendi i punës.

Hetime e mëtutjeshme të prokurorisë, pritet të zbardhimin më shumë rreth këtij rasti, që marrë në total, edhe sipas sinjalizuese së rastit, por edhe ekspertëve të kësaj çështje, bëhet fjalë për rreth 90 milionë euro që ambalazhuesit ia kanë borxh shtetit për mos pagesë të ujit të nxjerrur nga burimet e Kosovës për ta shitur më pas në formë të ujit të ambalazhuar, apo të pijeve freskuese./AP

Liburn Aliu pas njoftimit për hetime ndaj tij: Punoj çdo ditë për respektimin e ligjit

Shpërndaje në: