Si t’i flisni fëmijëve për koronavirusin
Pjesa më e madhe e botës po përballet me çështjen më tensionuese të momentit, koronavirusin. Njerëzit janë në ankth dhe presin moment nga çasti në çast informacione të reja në lidhje me këtë pandemi të panjohur, por një tjetër detyrë që na ngarkohet është të kujdesemi për fëmijët gjatë këtyre ditëve delikate. Si duhet t’i flisni atyre për koronavirusin? A ka një mënyrë më të mirë për t’jua shpjeguar?
T’u flasësh fëmijëve për një situatë si kjo, duket e vështirë, por në një moment a tjetrin biseda është e pashmangshme.
Psikologët thonë se çdo familje duhet të ketë një mënyrë unike për t’i folur fëmijëve rreth koronavirusit, bazuar kjo në rrethanat në të cilat ndodhen.
“Jo çdo fëmijë po rritet në një shtëpi ku gjërat deri tani janë normale. Nëse ata kanë patur një prind, të afërm apo gjysh që ka ndërruar jetë, e gjithë kjo mund t’i shkaktojë një ankth edhe më të madh krahasuar me dikë që s’ka përjetuar diçka si kjo. Fëmijët do të dëgjojnë gjëra, do të nisin të mendojnë dhe do të shqetësohen në mënyrën e tyre.”
Këshilla e parë për prindërit është t’i pyesin të vegjëlit se si ndihen. Nëse janë të shqetësuar për këtë virus dhe çfarë kanë dëgjuar të thuhet rreth tij.
Mungesa e një bisede të tillë gjatë kësaj kohe, do t’i bëjë më shumë dëm të vegjëlve, pasi në këto çaste empatia është shumë e rëndësishme. Kjo është koha për t’i treguar fëmijëve se është normale të ndihen paksa të shqetësuar për shkak të frikës nga e panjohura.
Mund të nisni t’ja shpjegoni situatën me fakte dhe madje t’i thoni se mosha e tyre është më pak e prekura nga koronavirusi dhe se për ta nuk përbën asnjë lloj rreziku.
Nëse ata janë paksa më të rritur dhe kuptojnë, mund t’ja shpjegoni duke i thënë kështu: “Kjo është diçka që do ta marrin shumë njerëz, por ka shumë gjëra që mund të bëjmë për të mbrojtur veten. Shumica e njerëzve që janë infektuar, janë shëruar pas disa ditësh.”
Nëse e sheh që fëmija yt është i shqetësuar dhe nis të bëj pyetje, shfrytëzojeni këtë moment për t’ja sqaruar.
Tregojini pse është më mirë të qëndroni në shtëpi dhe përqëndrohuni tek përgjigjet e tyre. Mos harroni t’i thoni se në fund çdo gjë do të shkojë mirë, por kjo ndodh nëse njerëzit tregohen të kujdesshëm duke larë duart apo duke ndjekur çdo këshillë tjetër.
Burimi: Yahoo