Si të shpëtojmë pa shtuar kile këtë dimër

Si të shpëtojmë pa shtuar kile këtë dimër

Si të mos mjaftonte dimri dhe i ftohti, frikës ndaj kileve të shtuara, këtë vit i shtohet edhe qëndrimi i zgjatur në shtëpi për shkak të pandemisë. Çfarë do të thotë kjo? Më shumë kohë në shtëpi, më shumë herë me kokë të zgjatur nga frigoriferi. Dihet botërisht që shumica e njerëzve në dimër tentojnë të shtojnë në peshë, por nga ana tjetër asgjë s’do të ndryshojë nëse ju tregoheni pak më të kujdesshëm gjatë këtyre muajve. Ç’duhet të bëni?

1. Fokusohuni tek gatimi në shtëpi

Shmangni të ngrënat jashtë dhe gatuani vetë! Duke bërë këtë, ti sheh me saktësi çdo përbërës, kontrrollon porcionet dhe le ta pranojmë, përpiqesh të hash më pak se pjesëtarët e tjerë sepse “je ngopur duke e gatuar”.

2. Konsumo më shumë proteina dhe hiq dorë nga karbohidratet

Kur është ftohtë priremi të shkojmë drejt ushqimeve të rehatshme, të shijshme (kujtojmë këtu bukën e sapo dalë nga furra), por mos harroni që vera vjen shpejt. Mbani një balancë të caktuar ushqimore, hani nga të gjitha, por më shumë ushqime me vlera proteinike.

3. Perime, perime, perime

Jo domosdoshmërisht duhet të konsumoni vetëm perime në çdo vakt, por darkat bëjnë mirë t’ju gjejnë me brokoli.

4. Mendo më herët për ushqimin

Mos e lejo të të drejtojë uria sepse dihet përfundimi. Përgatit gjithmonë diçka në shtëpi për të mos përfunduar tek ushqimet e shpejta dhe justifikimi i radhës.

5. Lëviz

E dimë që nuk është e thjeshtë të lësh shtratin e ngrohtë dhe të dalësh në të ftohtë, por janë vetëm sekondat e para ato më të vështirat. Përpiqu të bësh palestër ose joga nga shtëpia.

6. Mos harro të qëndrosh e hidratuar

Uji shpesh harrohet gjatë stinës së dimrit, por kujtohuni që duhet të pini minimumi 1.5 litra ujë në ditë!

7. Tregohuni të qëndrueshëm

Eshtë e vështirë t’i rezistosh ëmbëlsirave apo ushqimeve të shpejta gjatë gjithë dimrit, apo nga ana tjetër të stërvitesh çdo ditë të javës, por gjithsesi nuk është nevoja ta bëni këtë. Mjafton të jeni realist dhe i vetëdijshëm për çfarë po bëni, kështu nuk do ta kaloni kurrë masën.

Shpërndaje në: