Si të shmangim telashet nga thumbimet

Si të shmangim telashet nga thumbimet

Thumbimet e mushkonjave, rriqrave, bletëve, merimangave, zekthave, këpushave… mund të kalojnë pa u vërejtur, megjithatë nuk janë të rralla rastet kur shfaqen alergji të rrezikshme dhe reaksione tjera në lëkurë.

Më të rrezikshme janë alergjitë nga pickimet e insekteve në kokë dhe në qafë. Mirëpo, vetëm disa lloje të insekteve shkaktojnë reaksion alergjik.

Alergjia manifestohet së pari me skuqje, ënjtje, dhimbje dhe kruarje, me ç’rast ënjtja ka diametër më të madh se 10 centimetra dhe zgjat më shumë se 24 orë. Në rastet e rënda paraqiten skuqje në të gjithë trupin dhe ënjtje të indeve të buta, gjuhës, fytit, ezofagut, ijeve dhe gjenitaleve.

Rreziku për jetë vjen nga reaksionet në zemër dhe enë të gjakut, ënjtja e rrugëve të frymëmarrjes, fytit, laringut, qiellzës, krahas së cilave paraqitet edhe mundimi, vjellja, rënia e shtypjes së gjakut, që mund të sjellë deri te frymëzënia. Nga thumbimi deri te pasojat e rënda mund të kalojnë më së shumti 15 minuta, dhe për këtë arsye raste që përfundojnë me vdekje.

Insektet të cilat pickojnë shkaktojnë dhimbje të vogël, por më shumë ënjtje dhe skuqje, ndërsa te thumbimi i insekteve dhimbja është më e madhe. Reaksioni kalon për më së shumti dy orë. Nuk duhet të preket ose të kruhet vendi që dhemb. Mund të ftohet me ujë ose në të mund të vendoset akull nga frigoriferi. Po ashtu, vendi i thumbimit mund të lyhet me yndyrë ose krem me kortikosteroid.

Kruarja dhe dhimbja mund të zbuten nëse në vendin e sëmurë vendoset “pastë” nga soda e bikarbonit e përzier me ujë. Sot në treg mund të gjenden pudra të ndryshme për fëmijë, të cilat mund të shërbejnë për lehtësimin e kruarjes.

Mushkonjat na sulmojnë sepse kanë uri: na pickojnë që të ushqehen duke na thithur gjakun. Për të shmangur pickimet, mund të përdorni një krem ose një losion insekte­largues. Ndërsa kur na pickojnë janë pomadat antihistaminike. Zbusin të kruarën. Por nëse pickimi shkakton plagë të mëdha dhe të bezdisshme, këshillohet të pihet një antihistaminik nga goja.

Te thumbimi i bletëve, duhet të nxirret thumbi i bletës me thonj ose me pjesën e thikës që nuk pret. Në asnjë mënyrë nuk duhet kapur thumbi me piskatore, sepse në këtë mënyrë do të shtypet pjesa e mbetur e helmit në lëkurë. Vendi i thumbimit duhet të lahet me ujë dhe sapun dhe duhet vendosur një kompresë e ftohtë me uthull molle dhe dy pika vaji eterik të livandës.

Për të parandaluar këto pakëndshmëri nga insektet, duhet shmangur vendet ku ka shumë lule, të vishet gardërobë me ngjyra të çelëta, ndërsa të shmangen veshjet laramane dhe të zeza, të cilat i tërheqin insektet, transmeton Telegrafi. Po ashtu, duhet të shmangen sapunët, detergjentet dhe zbutësit e fortë, sepse aromat e tyre i tërheqin insektet.

Bletët dhe grerëzat sulmojnë atëherë kur janë të shqetësuara, ndërsa më helmuese janë në pranverë. Ato afrohen vetëm nga kurioziteti, sepse ndiejnë një erë që i tërheq dhe vijnë rrotull vetëm për të kuptuar gjendjen. Sapo gjykojnë që nuk ka asgjë që u nevojitet, ikin spontanisht. Por ka nga ata që duan t’i përzënë dhe bëjnë disa lëvizje. Dhe atëherë, insektet duke u ndjerë në rrezik, reagojnë duke sulmuar.

Pickimet e tyre janë të dhembshme pasi poshtë lëkurës injektohet një substancë që quhet histaminë, e cila shkakton ënjtje, dhembje dhe skuqje. Kur pickojnë ato e ngulin thumbin në lëkurën e “viktimës”. Prandaj, në radhë të parë duhet hequr thumbi, që shikohet shumë mirë me sy të lirë. Përdori një age të sterilizuar dhe jo një piskatore, pasi ajo shpesh e lë helmin brenda. Pasi keni hequr thumbin vini për disa minuta akull, i cili largon dhembjen dhe ul malcimin. Kur të mos ju djegë më, vendosni pak krem me bazë kortizoni.

Grerëzat rrallë herë e lënë thumbin në lëkurë, kështu që mund të procedoni menjëherë duke vënë pak akull dhe krem me kortizon në vendin që ju dhemb.

Ndodh që pickimi nga merimanga të shkaktojë gulçe të muskujve, ngurtësi rreth vendit të pickimit, djersitje të shtuar, kokëdhimbje, mundim dhe dhimbje në stomak. Nuk duhet t’u befasojë edhe paraqitja e ekzantemës së pazakonshme- e kuqe, e kaltër apo e bardhë, në formë të rrathëve që shfaqet në vendin e pickimit. Ndërsa pickimet e merimangave helmuese mund të shkaktojnë, kokëdhimbje, ethe, plogështi dhe dhimbje në nyje.

Insekte të tjera që duhet t’u druhemi janë edhe zekthat dhe këpushat. Edhe për ato vlejnë këshillat që dhamë për mushkonjat. Por nëse duam të rrimë të qetë nga këpushat duhet të ndjekim disa këshilla më tepër.

Pështyma e tyre mund të përmbajë mikroorganizma përgjegjëse për disa sëmundje, kështu që sapo të vini re që ju ka pickuar një këpushë, mermi një piskatore dhe mundohuni ta largoni insektin nga lëkura por mos e kapni as nga trupi dhe as nga koka, por pranë “gojës” që thith gjak. Më pas, vendin e prekur lajeni me ujë dhe sapun dhe dezinfektojeni.

Vendi i prekur duhet të mbahet nën kontroll për një muaj: me shenjën e parë të skuqjes është mirë të shkoni të vizitoheni në qendrën më të afërt spitalore.

Një rrezik tjetër janë edhe gjarpërinjtë për ata që shkojnë me pushime në mal. Nëse kafshoheni nga këta zvarranikë ju këshillojmë të mos lëvizni. Prisni derisa të vijë dikush për t’ju vizituar pasi duke lëvizur helmi përhapet më shpejt duke shfrytëzuar qarkullimin e gjakut. Në këtë mënyrë do të ketë më shumë kohë për të ndërhyrë.

Shpërndaje në: