Si ta qetësoni lëkurën e irrituar pas depilimit
Depilimi me brisk është zgjidhja më e shpejtë sidomos nëse keni marrë një ftesë të minutës së fundit për të shkuar në plazh dhe u duhet të ekspozoni më shumë lëkurë se zakonisht.
Mirëpo përdorimi i briskut për të disatën herë radhazi dhe mos aplikimi i shkumës së rrojës, apo depilimi në të thatë bën që lëkura juaj të reagojë keq pas këtij procesi.
Mos u shqetësoni, ka një zgjidhje të shpejtë dhe efektive për këtë lloj irritimi.
Merrni disa luleshtrydhe të pjekura mirë. Shtypini me kujdes dhe bashkojini me kos apo jogurt, sasinë zgjedheni sipas nevojës. Me ndihmën e një luge të vogël aplikoni përzierjen e mësipërme dhe lëreni të veprojë për 10-15 minuta. Më pas shpëlahuni me ujë të vakët.
Sekreti i këtij trajtimi qëndron tek luleshtrydhet, të cilat kanë në përmbajtjen e tyre përbërës me veti antiinflamatore, minerale, vitaminë C dhe antioksidantë.