Si ta dini a është mjaft ngrohtë bebja juaj?

Periskopi.com Zoya

Me rastin e përgatitjes së bebes për dimrin e parë në ditët e ftohta, më se e nevojshme është që të siguroni që bebja të jetë mjaftë ngrohtë.

Mirëpo, ekzistojnë mënyrat e drejta dhe të gabuara për këtë, theksojnë ekspertët e kujdesit prindëror, transmeton Telegrafi.

“Sa është ngrohtë dhe sa ftohtë për beben vlerësojmë duke ia kontrolluar duart a i ka të ftohta, apo këmbët. Në vend të kësaj, vendosni gishtat e dorës nën qafën e bebes”, thotë mjekja Ivon Gustafson, eksperte e kujdesit prindëror.

Nëse qafa e bebes është e ngrohtë dhe e lagësht, kjo do të thotë që bebja është tepër e ngrohtë. Në të kundërtën, nëse është e ftohtë, duhet t’ia shtojmë ngrohtësinë.

Sipas këshillave të ekspertëve, është e nevojshme bebes t’i vishet një shtresë më shumë se sa vishni veten. Shumë prindër shpesh bëjnë gabim, sepse beben e veshin me shumë rroba.

Disa ndër shenjat paralajmëruese mund të jenë duart e ftohta apo të skuqura të bebes, duke përfshirë edhe të dridhurit, zbehjen apo skuqjen e shputave dhe buzët e mavijosura.

Vendosja edhe e një batanije sipër ulëseve të veturës nuk është ide e keqe, gjithnjë derisa të mos rrezikojë qarkullimin e ajrit, thotë Gustafson.

Gjithashtu rekomandohet izolimi i karrocës në mënyrë që të ulni depërtimin e të ftohtit deri te bebja. Këtë mund ta bëni duke vendosur nën bebe një copë stiropori.

Lëkura e bebes është e prirë të pëlcasë dhe të thahet në stinën e dimrit, kështu që rekomandohet lyerja e rregullt me losion apo me kremra hidratimi.

Dalja në ajër të ftohtë me beben nuk duhet shmangur. Madje edhe kur bebja është e ftohur, ajri i ftohtë mund t’i ndihmojnë në zvogëlimin e ënjtjes së mukozës.

Është me rëndësi t’i kushtohet kujdes që rrobat e bebes të jenë të përshtatura kohës, sepse bebja nuk mund të mbajë temperaturën si të rriturit.

Shpërndaje në: