Si po i rikthehemi traditës tonë të indiferencës politike?
Ndër muhabete e të qeshura dje me kolegë, togfjalëshi “shtinëm n’parti”, dhe “a po çelet parti”. qenë dy togfjalësha që vetëdijshëm a pavetëdijshëm rrodhën në bisedë e sipër. I pari si rrëfim i një të ngjare, i dyti si pritje nga aktualitetet e zhvillimeve në ardhje. Megjithëse aty për aty u përhumbën nën shtëllunga tymosjesh duhani, menjëherë pas ndejës, doli të jenë derivate që provokuan dhe tajuan ndjenjën e këtij shkrimi. Shkrim, efekti i të cilit me gjasë duket të jetë vetëm një konfirmim pak para kohe i asaj që është në paravajtje: etapa e re e indiferencës politike.
Por pse bash këta dy togfjalësh të jenë treguesit e rifillimit të etapës në fjalë?
Sepse kur ndalova dhe mendova se si dolën nga biseda jonë këta dy markues gjendjeje politike, nuk pata se si të mos ia konfirmoj vetvetes, se rrjedha e tyre doli nga vetë perceptimi të shqiptarit mesatar ndaj politikës. Të thuhet se këtu gjithçka ndryhet veçse në zhgënjimin e fundit nga zhvillimet në LVV, do të ishte e pamjaftueshme. Megjithëkëtë, nuk mund të mohohet se këto dy të dala goje, nuk mbarsin më së shumti rëndesë pikërisht nga trajektorja politike e 2-3 viteve të fundit, e natyrisht fuqishëm nga ato të muajve të fundit.
Togfjalëshi i parë në fakt mu pati thënë mua, nga një bashkëvendës që mesa e mbaj në mend relatën time me të në këto 15 vite, kujtoj se na lidhte aty-këtu vetëm ndonjë përshëndetje e ftohtë me kokë (shpeshherë as kjo jo). Por ja që diku në prag të qershorit të vitit të kaluar, i përmenduri do të më ndalte në rrugë, dhe fare-fare pa më pyetur në jam anëtar, e aq më pak funksionar në LVV, më pati lutur t’i ndihmoja në regjistrim në parti! U mor vesh: këtu edhe lëvizja politike mbase më jo-farefisnore (e në shumë aspekte dhe karshi vetë institucionit të familjes) nga mesatari i këtij vendi shihet jo si derë e aktivizmit konstant qytetar, por si derman shpëtues në kohë zgjedhjesh. Po t’i bëjmë një lexim edhe më të skajshëm: vetë mobiliteti nis përmes lutjes e jo angazhimit. Kjo sepse nga fakti se më luste, ai po mbyste angazhimin që në lindje të tij.
Togfjalëshin e dytë e nxori kolegia nga sektori i Marketingut. Të jetë rastësi e dalë pavetëdijshëm nga orientimi i saj profesional? Them se jo, ngase nuk është vetëm ajo që në këtë vend lindjen e një partie në fakt e përjeton si sipërmarrësi individuale/mbijetese.
Po të shikojmë historikisht, rrënjët e një gjuhe/sjelljeje të tillë politike i gjejmë në vetë sjelljen politike të shqiptarëve, të paktën në 2 shekujt e fundit: gjithmonë reaktiv, e rrallëherë refleksiv (racional). 1912-ta, 1918-ta, 1941-ta, 1968-ta, 1981-ta, 1989-ta, 1997-99-ta…të thuash vetëm se shqiptari reagon, s’mjafton. Fatkeqësia qëndron në atë se s’gabohesh nëse thua se shqiptari reagon mesatarisht njëherë në 10 vjet.
Po të ndalemi në metodologjinë e sjelljes politike të shqiptarit ndaj publikes, sërish hasim në sjellje reaktive, përkatësisht kundërthënie mes të thënit dhe të vepruarit: janë të njëjtit njerëz që të thonë “pa dalë krejt Kosova me u renisë qaty para qeverie, këta nuk marrin vesh”, me njerëzit që një nismë e tillë, e organizuar me çadra para më pak se 2 viteve para Qeverisë,, nuk u zgjati as 2-3 ditë.
E më duket se rëndesa më interesante tek kjo shkarje frojdiane mes “futjes në parti” dhe “çeljes së partisë”, që në fakt na dalin gati-gati si e njëjta gjë, fle në nënshtratin që e mbars vetë këtë shkarje: politika e përjetuar si biznes. Biznesi i përjetuar si gjetje pune. Gjetja e punës e përjetuar si dalje mbanë, dalja mbanë e përjetuar si gjindshmëri, gjindshmëria e përjetuar si shkathtësi njoftësi, a bamirësi çmimlirë, që përudhen të jenë reciproke (“e mira e ka t’mirën”!) dhe asgjë më shumë përtej kësaj. Dhe kjo të paktën përgjatë krejt dekadës së fundit, megjithëse dinamizmi që përçonte mosha e re e popullatës, LVV, dhe kalimi masiv në virtualitet i këtij populli krijonin përshtypjen për kushedi se çfarë idealizmi e konfrontimi.
Ngase u tha se futja në parti shihet si derman shpëtimi, tani çelja e partisë (së re) duket se shënjon lajmëtarin e shpëtimeve të reja potenciale. Pas legjislaturës së fundit, i bije që kjo të ngjajë në kushte të një mozaiku politik shumë të copëzuar (ndarja e krahut të pakënaqurve në VV do të thoshte 8 apo 9 parti që potencialisht e kalojnë pragun zgjedhor) dhe ku përhumbja e dallimit orientimor mes partive, është disi në favor të mesatarit që kërkon shpëtim. Pikërisht mbi këtë realitet më ngjan se po nisin celulat e indiferencës së re, që ruan rrënjët e saj të vjetra vetëm se i tjetërson në konformizma të rinj.
Në retrospektivë historike, përderisa indiferenca politike dhe qytetare edhe ashtu e paqenë mes viteve 1968-1981 rrodhi nga një mirëqenie afatshkurtër e parë më pranueshme se liria; përderisa indiferenca mes viteve 1981-1989 rrodhi nga një rikthim i rrëmbyeshëm e hakmarrës i Serbisë shoqëruar nga indolenca e komunistëve shqiptarë dhe kthyerja e ushtarëve shqiptarë nga APJ-ja në tabute; përderisa indiferenca 1991-1997, rrodhi nga një mosbesim gati absolut se mund t’i kthehet tyta Serbisë; përderisa ajo 2001-2004 ushqehej nga shenjtërimi i SHBA-ve dhe arsyetimi: “tani botën e kemi këtu nuk duhen bërë gabime”, indiferenca në të cilën kemi hyrë tani, është ajo e një populli që e jeton copëzimin më shumë se kurrë më parë.
Dhe që krahas copëzimit jeton virtualen më shumë se kurrë më parë (aq shumë sa virtualja çoi në sheshim pakënaqësish brendapartiake) . Dhe që disi kjo jetesë në virtualitet, pos që krijon atë vetëdijen hibride, ka rastisur që tipit shqiptar t’i ndihmojë në hiporkzinë e vet. Shqiptari E DO një përvoje të tillë jetese që gjindshmërinë ia kthen si atashim kryesor. Që e kursen nga të qenit i angazhuar politikisht. Copëzimi politik (davaritja e idealizmave kolektiv), kalitet nga copëzimi ekonomik (mbijetesa) dhe ai mediatik (shpotia e shitur si informacion).
Krejt këto të ushqyera nga një përvojë e kaluar në okupim, dhe nga ngelja e formacionit të familjes (në familje e sidomos si në këto tonat njeriu më shumë është situatë se individ) – organizim kyç shoqëror e që sjelljen situacioniste e kthejnë në Bibël e Kuran të këtij vendi. Po të dojë t’i hyjë cytjeve idealiste individit shqiptar i sinjalizon kumbona: “a ty t’ka mbetë a!?”. Ky popull s’përballet, por përvidhet tha para do dite miku im Roland Gjoni. Por mua alegoria me futjen në parti dhe çeljen e partisë, me kusht të jenë të lexuara nga prizëm pozitivizmi, më janë shumë substidiare me “ku me gjet njerëz se kapuça ka plot”. Indiferenca dhe kllapia që po na pret tejkalon vetëm me angazhman politik. Zgjidhje tjetër nuk ka.