Si po e inspiron Holandën shërimi nga kanceri i trajnerit Van Gaal
Mbrojtësi holandez, Daley Blind, ka thënë se Holanda është duke dhënë inspirim në Kupën e Botës për shkak të shërimit nga kanceri të Lous van Gaal.
Trajneri i përfaqësueses holandeze njoftoi në prill që ai iu kishte nënshtruar 25 tretmaneve me rrezatim për shkak të një forme të rëndë të kancerit në prostatë, duke e mbajtur sekret diagnozën prej lojtarëve gjatë kampanjës kualifikuese për Kupën e Botës. Lojtarët kanë qenë të painformuar se ai po bartte një pajisje gjatë seancave stërvitore dhe se ai po i kalonte netët në spital pas ndeshjeve.
Van Gaal ka thënë se tretmani “e kishte kryer punën e tij”, duket ia mundësuar atij ta udhëhiqte Holandën drejt qerek-finales së Botërorit që mund të jetë detyra e tij e fundit në futboll. Blind tha se sëmundja e 71-vjeçarit dhe mënyra se si ai e kishte menagjuar situatën është në mendjen e lojtarëve në Katar, shkruan The Guardian.
“Natyrisht se është ngulitur në mendjen tonë”, tha mbrojtësi i Ajaksit. “Që nga momenti i parë ne nuk e dinim për sëmundjen e tij. Ai bëri çdo gjë për ta mbajtur larg nesh. Ai madje po shtrihej në spital gjatë netëve, vetëm që mos t’i tregonte ekipit se çfarë ishte duke përjetuar”.
“Ne kemi shumë respekt për mënyrën se si është duke u ballafaquar me sëmundjen tani për tani, por ai është në formë sikur më parë. Ai është Louis van Gaal dhe ai kurrë nuk do të ndryshojë. Ai është një personalitet i madh dhe ne jemi shumë të lumtur që ai është me ne”.
“Ai gjithmonë di si t’i inspirojë lojtarët. Është në mendjen tonë, por ne nuk kemi nevojë për motivim shtesë. Ne duam ta fitojmë çdo ndeshje, ne luajmë për trajnerin tonë dhe ne duam të shkojmë sa më larg që mundemi”.
Babai i Blind, Danny, është ndihmës i Van Gaal në Kupën e Botës dhe dyshja ndau një moment prekës kur ish-lojtari i Manchester United shënoi golin e dytë të Holandës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës të shtunën.
“Nuk mund ta kujtoj se çfarë më tha- ai vetëm mu hodh në përqafim. Thjesht ishte një moment në mes të birit dhe babait. Ne do të bisedojmë përsëri kur të pijmë kafe në mëngjes dhe në mbrëmje duke pirë verë të kuqe”, tha Blind Jr.
“Është ngazëllyese ta përjetojmë këtë së bashku. Unë jam krenar. Kjo është ajo se për çfarë ëndërrojnë fëmijët: të shënojnë në Kupën e Botës dhe të luajnë në një Kupë të Botës. Çfarë mund të thuhet? Ka aq shumë lumturi dhe emocione. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu”, tha ai. /Periskopi/