Si përfunduan nëpër burgje e me aktakuza bashkëpunëtorët e Kurtit

Para se ta krijonte Qeverinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti premtoi që do t’i emëronte njerëzit profesionist nëpër pozita të rëndësishme. Jo që nuk e bëri, po shumicën e bashkëpunëtorëve që i emroi nëpër ndërmarrje publike e pozita kyçe i përfunduan të arrestuar e me aktakuza për shkak të dyshimeve në përfshirje në korrupsion e dallavere, shkruan Periskopi.
Më datën 18 mars të këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës kishte zbarkuar në qytetin e Gjakovës për të arrestuar kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqin i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Hasani që ishte kandidat për asamble në Komunën e Gjakovës nga Alternativa-Vetëvendosje, ishte arrestuar edhe më heret jashtë vendit ku dyshohej për trafikim me njerëz. Krasniqi ishte arrestuar në muajin mars të vitit 2024-të në shtetin e Bullgarisë, në bazë të një urdhër-arresti të INTERPOL-it. Ai ishte vënë në kërkim nga Policia e Italisë nën dyshimet për trafikim me njerëz.
Arsye e arrestimit të Hasanit dyshimet për dallavere me tendera që i dolën edhe videot që po negocionte për t’i përzgjedhur kompanitë në mënyrë të kundërligjshme.
Në muajin tetor të vitit të kaluar ishte arrestuar edhe Ushtruesi i deytrës të Autoritetit të Rajonit të Pelgjeve Lumore, Naser Hafizi i cili ishte përfshirë në skandalin për abalazhuesit e ujit. Hafizi i afërt me ministrin Liburn Aliun ishte emëruar posa kishte marr pushtetin Vetëvendosje.
Ky i fundit dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar ”, “ Shpërlarje të parave” si dhe Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, shkruan Periskopi.
Prokuroria pas disa hetimeve disa mujore kishte gjetur se Naser Hafizi për një periudhe të shkurtë kohore kishte blerë katër banesa në Prishtinë dhe në qytetin e Fushë Kosovës. Prokurorisë nuk iu kish përputhur të dhënat financiare me numrin e blerë të banesave. Gjithashtu Hafizi vetëm në majin shkurt kishte qarkullimi bankar në vlerë prej 395 mijë euro.
“Gjatë fazës së hetimeve është gjetur se i pandehuri Naser Hafizi, vetëm në periudhën kohore prej datës 17.08.2023 deri me datë 16.07.2024, i ka blerë katër banesa në lokacionet Prishtinë Fushë Kosovë. Nga zbulimi i të dhënave financiare ka rezultuar se nuk ka të hyra përveç pagave të tij, bashkëshortes dhe babai të tij të cilat nuk kapin vlerën prej rreth 1600 në muaj. Lidhur me këtë vlerësojmë se pasuria të cilën e ka blerë i pandehuri vetëm në këtë periudhë kohore është në disproporcion të madh në krahasim me të hyrat e tij. Hafizi dyshohet se nga viti 2021 e tutje ka vepruar kundërligjshëm në uljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit dhe dhënien e lejeve ujore. Hafizi përgjatë viteve 2018-2024 ka deponuar kesh rreth 110 mijë euro. Vetëm në shkurt të këtij viti qarkullimi bankar i Hafizit ka qenë 395 mijë euro, ndërsa pagën mujore e ka 732 euro”, thuhej në dosjen e Prokurorisë, së publikuar në media. Hafizi ishte liruar nga masa e paraburgimit në muajin mars të këtij viti.
Në mënyrë të kundërligjshme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte emëruar Kryeinspketor të Insketoratit të Punës,Hekuran Nikçin. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), kishte konstatuar se emërimin i Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës ishte bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Edhe, Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja, konstatuan se emërimi i tij ishte i jashtëligjshëm, pasi duhej të shpallej konkursi për këtë pozitë.
Ndërsa, këtij viti, Hekuran Nikçi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës dhe dyshohet për tri vepra penale: Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Cenimi i të drejtave nga marrdhënia e Punës dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë.
Në orët e para të mëngjesit Policia e Kosovës kishte zbarkuar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ku ishte arrestuar Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Arrestimi i tyre ishte bërë nën dyshimin që janë përfshirë në keqpërdorimin e rezervave shtetërore. Lipovica ishte emëruar ushtrues detyre i skeretarit të ministrisë nga Vetëvendosje për shkak të lidhjeve të tij me Mimoza Kusarin dhe Besnik Bislimin.
Kurse, arrestimi që kishte bërë bujë ishte ai i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Prokuroria Speciale kishte arrestuar këtë të fundit për shkak të dyshimit se kishte kryer veprat “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
Krasniqi bashkë me dy persona të tjerë nga Prokuroria Speciale akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 37 milionë euro.Ky i fundit kishte qëndruar nën masën e paraburgimit vetëm pesë muaj nga data 20.4.2024 deri më 15.09.2024. Ndërsa, në muajin tetor të vitit të kaluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë Krasniqi ne seancën e shqyrtimit fillestar nuk e kishte pranuar fajësinë.
“Plotësisht i pafajshëm”- kishte thënë Krasniqi para gjyqtarit, Arben Hoti.
Vitin e kaluar ishte arrestuar edhe Kryeshefi ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka.
Mujka ishte arrestuar për veprën penale korrupsion. Këtë vepër e kishte kryer në kohën sa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut./Periskopi/