Si ndikon moti i ftohtë te personat me probleme të zemrës?
Studimet e shumta tregojnë se moti i ftohtë mund të ndikojë në përkeqësimin e gjendjes te personat me probleme të zemrës.
Sipas këtyre studimeve, ka pasur rritje të numrit të personave të moshuar, të cilat janë dërguar në spital për shkak të ndryshimit të temperaturave dhe presionit të ajrit.
Ekspertët thonë se njerëzit e moshuar me probleme të zemrës duhet t’i shmangen ekspozimit në mjegull dhe të ftohtit gjatë stinës së dimrit, transmeton KosovaPress.
Rezultatet e publikuara në revistën “Environment International”, tregojnë për rritjen e rrezikut të hospitalizimit ose vdekjeve ndërmjet tetorit dhe prillit, krahasuar me periudhën maj-shtator.
Profesori Pierre Gosselin nga Universiteti Laval në Kanada, thotë se mjekët shumë pak marrin parasysh faktorin e motit në trajtimin ose dhënien e rekomandimeve për personat me probleme të zemrës.
“Përmes ndryshimeve ekstreme të temperaturave, ne dëshirojmë të tregojmë se si moti është duke u bërë gjithnjë e më shumë faktor relevant. Studimet tona tregojnë se ekspozimi ndaj të ftohtit mund të ndikojnë në shkaktimin vdekjes ose hospitalizimit të personave me probleme të zemrës,” tha ai.
Shkencëtarët vlerësojnë se 112,793 njerëz të moshës 65 ose më të vjetër, janë diagnostifikuar me dështim të zemrës në periudhën ndërmjet viteve 2001 dhe 2011.