Si ministrat edhe aktivistët e VV-së probleme me ligjin: Prokuroria kërkon dënimin e tyre me për kanosje të gjykatësit e prokurorit

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare, në rastin ku Arlind Manxhuka, Egzon Azemi, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, po akuzohen për nxitje të përçarjes dhe kanosjen e gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu. Prokurorja Fikrije Fejzullahu kërkoi dënimin e të akuzuarve, kurse mbrojtja lirim nga akuza.
Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Azemi, ish-asamblist i kësaj partie në Prishtinë, ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenelaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu tha se bazuar në provat materiale dhe shqyrtimit gjyqësor të këtij rasti, Prokuroria Speciale konsideron se të akuzuarit me vetëdije dhe me dashje kanë kryer veprat sipas aktakuzës.
Prokurorja i propozoi Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligji, si dhe të marrë parasysh rrethanat lehtësuese e rënduese.
Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Arlind Manxhuka, avokatja Rozafa Berisha, tha se fjalën përfundimtare do t’ia dorëzojë Gjykatës në formë të shkruar dhe se nuk e sheh të arsyeshme që ta elaborojë.
Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Egzon Azemi, avokatja Teuta Xhema, tha se aktakuza e ngritur nga PSRK dëshmon se nuk ka të bëjë me kryerje të veprës penale dhe provat të cilat i ka potencuar Prokuroria në këtë proces, si dhe raportet informuese, nuk mund të konsiderohen prova për shkak se në ato raporte është vetëm një indicie për zhvillim të hetimeve.
Gjithashtu, ajo tha se edhe video-incizimi si provë materiale, fare nuk ka të bëjë me klientin e saj, andaj kërkoi nga Gjykata që i akuzuari Azemi të lirohet nga akuza në mungesë të provave materiale dhe formale.
Vetë i akuzuari Azemi, tha se Prokuroria me çdo kusht po mundohet të përndjek e të burgos çdo zë kritik dhe po akuzohen për nxitje të urrejtjes se kritikuan lirimin e Dejan Pantiqit.
Ai tha se 10 muaj pas ngritjes së akuzës për ta dhe lirimit të Dejan Pantiqit, ndodhi sulmi më i madh terrorist që nga paslufta.
“Gati 1 vit pas këtij sulmi asnjë aktakuzë nuk u ngrit për kriminelët serbë sepse Prokuroria Speciale ishte e zënë të hulumtojë statuse e madje komente të atyre që i kritikojnë”, tha Azemi.
Po ashtu, ai deklaroi se ata janë këtu të akuzuar vetëm sepse duhet të dënohen politikisht, por asnjë dënim nuk i ndal të thonë kritikën e qëndrimet e tyre.
“Ata që me kriminelë serbë po tregohen lepuj, kanë nevojë që në cirkun e tyre të tregohen edhe luanë, na dënoni sa të doni, por jo në emër të popullit sepse përgjigjen dhe vendimin e tyre e dinë të gjithë”, ka thënë i akuzuari Azemi gjatë dhënies së fjalës përfundimtare.
Mbrojtësi i të akuzuarit Qerim Elshani, avokati Muharrem Kurtaj tha se me këtë aktakuzë nuk është arritur që të provohet se klienti i tij i ka kanosur të dëmtuarit.
Sipas Kurtajt, kjo akuzë ndaj klientit të tij është e paqëndrueshme dhe i propozoi Gjykatës që ndaj klientit të tij të nxjerrë aktgjykim lirues.
Gjithashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Edi Zenelaj, avokatja Shpresa Hyseni tha se kjo aktakuzë nuk përputhet me gjendjen faktike pasi që nuk dihet as data, as ora e koha e kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i saj.
Ajo tha se kjo aktakuzë është pa asnjë provë, pasi që i kemi dy të dëmtuar që e kanë përshkruar situatën e gjendjen e tyre emocionale gjatë dhënies së dëshmisë, por që asnjëri nga ata nuk ka parashtruar kërkesë pasurore-juridike për kanosje dhe shqetësimin që iu është shkaktuar.
“Sikur të kishin përjetuar atë dëm në masë aq të madhe, me siguri që edhe kërkesë pasurore-jurdike do të kishin bërë, sepse po del si kontradiktore pëso dëm e mos parashtro kërkesë”, tha Hyseni.
Po ashtu, ajo tha se raportet njoftuese të Policisë, Prokurorisë e kallëzimi penal, nuk mund të trajtohen si prova materiale, andaj edhe i propozoi Gjykatës që për të mbrojturin e saj të nxjerrë aktgjykim lirues.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Mxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.
“Ashtu që i pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.
Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.
Me këtë, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.
“Ashtu që i pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehuri Zenelaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet në aktakuzë.
Me këtë, secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale të kanosjes nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.