“S’i kam thënë bëje…”, vazhdon drama për skandalin e RTK-së: Rilind Gërvalla tash kapet me Jeton Musliun që e ekspozoi
Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla, i ka reaguar deklaratës së Jeton Musliu, redaktori i lajmeve në RTK, i cili tha se kishte presion të vazhdueshëm nga Rilind Gërvalla, drejtor i TV, dhe Leonora Bërbatovci, për lajmin e “Slobodna Bosna”, përmes të cilit pretendohej se dy portalet, Periskopi dhe Nacionale ‘financohen nga Serbia’.
Jeton Musliu sot tha se kishte presion të vazhdueshëm nga Rilind Gërvalla.
Për më tepër, ai ka treguar edhe për një rast se si kishte marrë vërejtje pse kishte publikuar një lajm kritik ndaj Qeverisë Kurti.
Pa kaluar as dy orë, nga ky shkrim i Musliut, ka reaguar drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla.
Ai ka thënë se linkun e ka dërguar, por nuk ka ushtruar presion që të botohet.
Gërvalla që deri sot e ka mbajtur në pozitë redaktorin Musliu, tashmë po e etiketon si të dënuar për shpifje.
“Në RTK ka hierarki. Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekondë që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjëherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njëjtën gjë”, ka thënë Gërvalla për Kallxo.com.
Ndërkohë, Musliu ka njoftuar se tashmë ka kërkuar të largohet nga pozita e redaktorit të lajmeve qendrore në RTK, përkatësisht risisteminin e tij.
“1-Kërkoj largimin tim te menjehershem nga detyra e redaktorit të lajmeve qendrore në RTK dhe risistemimin tim. 2-Lejimin nga ana juaj të publikimit të sqarimit tim për media ngase situata është tërësisht e padurueshme dhe e papranushme per mua”, ka deklaruar Musliu.