Si e rrezikoi pushteti jetën e gazetarëve të Periskopit e Nacionales me ndërlidhjen e tyre pa fakte me Beogradin

Si e rrezikoi pushteti jetën e gazetarëve të Periskopit e Nacionales me ndërlidhjen e tyre pa fakte me Beogradin

“Jemi dëshmitar që ka investime në keqinformim dhe në përçarje e çoroditje të opinonit publik, ka edhe njerëz dhe ndonjë kanal medial në Kosovë që interesim medial e ka që të besohet më shumë lajmi me origjinë nga Beogradi sesa lajmi me origjinë nga Prishtina. Pavarësisht se ne po japim shembull për korrektësi dhe vërtetësi, nga Beogradi vijnë lajme të rrejshme”.

Kjo deklaratë është dhënë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 28 gusht 2022, para qindra anëtarëve të Këshillit të Përgithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ishte adresa e duhur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të ndërsente partinë e tij me të gjithë fuqinë e saj propaganduese (VV përfiton çdo vit nga dy milionë euro vetëm nga buxheti i shtetit) kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Ky diskurs, pra i ndërlidhjes së mediave kosovare me Beogradin është qëndror edhe në raportimin pa fakte dhe skandaloz të medias boshnjake Slobodna Bosna (Bosna e Lirë) të transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK dhe rtklive.com).

Publikimi i Slobodna Bosna, pa asnjë dëshmi, pa asnjë burim, pa asnjë dokument, akuzon “Nacionalen” dhe “Periskopin” se marrin financa nga Serbia dhe Aleksandar Vuçiq, edhe sipas dëshmive të redaktorit të lajmeve në natën e publikimit të lajmit është shtyrë nga Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, një militant i partisë në pushtet, Vetëvendosjes, e cila e zgjodhi në këtë pozitë me mbështetjen e partisë.

Propaganda e kryeministrit Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje mori përmasa të frikshme me publikimin e gazetës boshnjake dhe kjo është vetëm një dëshmi se ky publikim nuk është i rastësishëm, por rezultat i një rruge të nisur shumë kohë më parë.

Që nga ditët e para pas ardhjes së tij në pushtet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe partia Vetëvendosje, i kanë drejtuar sulmet dhe propagandën e tyre në dy drejtime: kundër sistemit të drejtësisë (Prokurorisë dhe Gjykatave) dhe medieve.

Në krye të këtyre sulmeve ka qëndruar personalisht Albin Kurti dhe atë nga pozicioni i tij zyrtar si Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Siç ndodh zakonisht, pas këtyre sulmeve menjëherë është angazhuar “Ushtria Digjitale” e Vetëvendosjes, e cila ka ndjekur linjën e ndërsyesit, pra të shpifjeve, linçimeve e fotomontazhave dhe videomontazhave.

Në këtë mënyrë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke udhëhequr dhe ndërsyer një fushatë që i ndërlidhë pa fakte gazetarët shqiptarë me agjenda të Beogradit – ka rrezikuar jetën e tyre.

Dhe jo vetëm më 22 gusht 2022 kur Kurti i sulmonte mediat nga Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, por edhe në shumë raste të tjera kryefjalë ishte ndërlidhja e domosdoshme me Beogradin.

Disa muaj para kësaj deklarate, më 18 prill 2024, gazetarë të shumtë ishin mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të përcjellur kryeministrin Kurti në një aktivitet zyrtar.

Kryeministri Albin Kurti kishte ofenduar gazetarët që kishin dalë për ta pyetur rreth zhvillimeve të fundit. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se si Mbretëria e Bashkuar ka dërguar armatim në Kosovë, duke thënë se për këtë do të kërkojë shpjegim edhe nga Kryeministri i Britanisë së Madhe.

Kur u pyet për këto deklarata, së paku për ta dhënë një version të tij, Kurti në vend se t’ia kthejë një përgjigje Vuçiqit zgjodhi të merret me gazetarët duke u thënë atyre “Nuk ka nevojë që ata (Beogradi), t’iu gënjejnë më shumë… e qe ta kuptoni se nuk duhet më t’i besoni asnjëherë” ka thënë Kurti. /Demokracia.com

 

 

 

Shpërndaje në: