Si e ndërtoi perëndimi një shtet të dështuar në Kosovë? Dhe pse e tolerojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar?

Si e ndërtoi perëndimi një shtet të dështuar në Kosovë? Dhe pse e tolerojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar?

Në një shkrim për “National Interest”, ligjëruesi i Universitetit të Westminsterit, Aidan Hehir, ka thënë se Kosova mund të konsiderohet një shtet i dështuar. Për këtë dështim, ai ka fajësuar akterët e perëndimit – të cilët siç thotë ai – janë brengosur vetëm për ruajtjen e një imazhi të mirë për Internacionalizmin liberal. Prapa këtij imazhi, vëren ai, qëndron një mal i madh korrupsioni e krimi, trazirash politike dhe një ekonomie në ngecje. Por, a ishte investimi i perëndimit vetëm në imazh, që nga fillimi? Hehir në artikullin e tij nuk rreket që të gjejë fillin e perit të lëmshit që u krijua në Kosovë dhe kritika e tij, lëngon nga kjo shmangje (ndoshta e paqëllimtë).

 

Hehir tregon se Kosova e ka pranuar ndihmën më të madhe që i është dhënë ndonjëherë një shteti në zhvillim. Shumë më shumë se Afganistani. E prapë, paqja dhe multietniciteti kanë dështuar plotësisht – sipas tij. Ai shpjegon se flamuri dhe himni i Kosovës, me një fjalë, pjesa simbolike e shtetit tonë, nuk korrespondojnë me vullnetin e qytetarëve. Në Kosovë, rrallë e gjen flamurin e Kosovës ndërkohë që shumë shpesh flamurin e Shqipërisë. Ai e thekson karakterin e panatyrshëm, artificial të multietnicitetit duke treguar se 92% e popullsisë së Kosovës janë shqiptar që përfaqësohen njëjtë në flamur me një yll, si goranët të cilët janë vetëm 0,6%. Sidoqoftë, Hehir nuk shpjegon se pse kjo nuk mund të funksionojë.

 

Identitetin kombëtar, ai e quan të papërputhshëm me vullnetin e popullit. Simbolet shtetërore përkojnë me vijën burokratike europjane dhe jo me idealitetin dhe estetizmin kombëtar.

 

Ai përmend poashtu edhe ikjet masive të vitit të kaluar. Ekonomia e Kosovës është në një ngecje të vazhdueshme ndërkohë që shkalla e papunësisë mbetet më e lartë se në Palestinë e Jemen. Shkalla e korrupsionit poashtu, është tepër e lartë. Hehir e akuzon perëndimin për tolerimin dhe përkrahjen e këtij korrupsioni – në mënyrë që të ruhet imazhi i mirë i investimit të saj dhe idesë së Internacionalizmit liberal.

 

Avokati amerikan Clint Williamson dëshmoi se operativët e UÇK-së ishin angazhuar në fushatë të paligjshme për vrasje, rrëmbime, dhunë seksuale etj. që rezultoi në hapjen e Gjykatës Speciale. Thaçi – shkruan ai – është bërë një figurë e përlyer me akuza të shumta.

 

Korrupsioni i Kosovës nuk është tipik ballkanik. Ka rrethanën e tij dhe pritet t’i lëvizë gurët që mund të shpërthejnë të gjitha pakënaqësitë e mbledhura deri më tash.

Shpërndaje në: