Shumë zhurmë për asgjë
Mu në ditën kur Kadri Veseli paralajmëroi shpalljen e kandidaturës së tij për kryeministër dhe shpalosjen e planit apo platformës së tij për Kosovën. Por, statusi nuk kishte cak ish-kreun e nëntokës. Caku ishte nga rradhët e opozitës, e i hiç më pak se lideri opozitar, Visar Ymeri, dhe deputetja opozitare, Donika Kadaj.
Statusi po dënonte një gjest të Visarit dhe Donikës, të cilët po merrnin pjesë në në Konventën Zgjedhore të Aleancës Kosova e Re, e cila mbeti nën hije në fund të ditës. Dy deputetët nuk u çuan në këmbë kur u intonua melodia e mërzitshme e imponuar nga Ahtisari, e cila padrejtësisht quhet edhe himn. Dhe kjo për të satën herë “i tmerroi” ata që njihen si “gardianë të shtetit”, dhe këtë e shfaqën me shpejtësi, sigurisht nga terreni i tyre i vetëm, facebook’u. Në fakt, ata edhe nga ky terren, e “mbrojnë” shtetin vetëm kur bëhet fjalë për simbole. Pa përmbajtje. Simbolikisht.
Statusi me përmbajtje uniforme thoshte se kush nuk e njeh të ashtuquajturin himn të Kosovës, i cili e mohon historinë e një populli të tërë, është kundër Republikës së Kosovës. Tutje, ai rrëfente se si ky “himn” qenka respektuar edhe nga garda ruse, dhe tregonte se ai përfaqëson Republikën, dhe jepte premtimin se kjo e fundit do të mbijetojë edhe nëse vdesin të gjithë politikanët. Si dhe, përmendej “standardi i dyfishtë”, meqë kur nuk e njeh këtë “himn” – nuk e njeh Republikën e Kosovës, e sipas statusit, ata që nuk u çuan në këmbë kur u intonua ai, nuk e njohin këtë shtet, edhe pse si deputetë marrin paga nga buxheti i këtij shteti.
Thënë të drejtën, e kam ditur qysh moti se publikuesit e këtij statusi janë “tregtarë të mjegullës”, por ka do kohë që më habitë pak edhe pretendimi i tyre se mund të kenë aq zotësi edhe si “tregtarë flamujsh” apo “tregtarë himnesh”. Mbase logjika e tregtarit edhe është kjo se gjithçka shitet e blihet, por është mirë të na thonë se a janë njëmend këta krejt tregtarë apo jo. E nëse janë, por edhe nëse s’janë, duhet të ua shpjegojmë, në facebook apo ku të duan, se jo gjithçka i nënshtrohet procesit të shitblerjes. Pra, simbolet e një shteti, flamuri e himni në këtë rast, nuk janë çështje pazaresh e tenderesh apo konkursesh.
Sidoqoftë, nuk e kam ndërmend te merrem me shpjegime mbi simbolet apo të sqarojë edhe një herë qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të stërsqaruara, mbi simbolet e Republikës së Kosovës, të imponuara nga Pakoja e Ahtisarit, në kundërshtim të së cilës dhanë jetën dy qytetarë dhe aktivistë, të cilët i vrau policia ndërkombëtare e UNMIK’ut. Këtu, dua të merrem vetëm me tendencat e këtyre publikuesve të statusit të njëtrajtshëm, që është edhe bajat, marrë parasysh se po e përdorin shpesh pa e modifikuar mjaftueshëm, dhe kjo tingëllon edhe më e mërzitshme se melodia e quajtur “himn i Kosovës”.
Së pari, “gardianët e Republikës” që ndihen aq krenarë me flamurin lara-lara dhe himnin e improvizuar, janë të njëjtit që kanë heshtur ndaj çdo rreziku që i është kanosur Republikës të Kosovës, qoftë përmes projekteve të dëmshme të imponuara nga negociatat me Serbinë, qoftë përmes kapjes së shtetit nga brenda prej pushteteve kriminale e të korruptuara. Me përçartje të tilla, ky zhgan njerëzish, përpiqen ta mbulojnë indiferencën e tyre apo edhe mbrojtjen indirekte –
në disa raste – që ia dhanë projekteve të sponzorizuara nga pushteti, siç është kohëve të fundit “Zajednica” apo demarkacioni me Malin e Zi. Pra, këta që nuk e hapin gojën kur Serbia me projekte shoviniste tenton bosnjëzimin e Kosovës, dhe kur Kosovës i humbasin 8200 hektarë tokë me demarkim të gabuar të kufirit, ose për me keq deklarojnë se këto janë kauza false të opozitës, i japin zor kundër opozitës që sakrifikon çdo gjë në kundërshtim të tyre. Madje, edhe atëherë, kur kundërshtuesit e këtyre koncesioneve që vënë në pikëpyetje të ardhmen e Republikës, shtypen me dhunë nga aparati i kapur nga ky pushtet, këta hipokritë e relativizojnë situatën, duke u munduar ta ndajnë fajin në dy taboret.
Së dyti, është e pamundur të mos thuhet se si këta njerëz që e mbajnë veten si njerëz me ndikim kanë aq shumë kritikë për veprimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili është subjekti i vetëm që shquhet për konsistencë dhe e cila është e vetmja që ka program politik dhe alternativë, kurse të flitet shumë pak ose fare nga ta për Kadri Veselin, njeriun i cili nga kreu i nëntokës u zhvendos në krye të organit më të lartë legjislativ të vendit. Askush nga këta, që siç edhe thuhej në tituj portalesh, reaguan ashpër ndaj Visarit, asnjeherë nuk reaguan ashpër ndaj Kadriut. Madje, edhe në emisione televizive guxojnë ta sfidojnë vetëm deri atëherë kur ua shkelë syrin. Është e qartë se disa prej tyre kanë edhe interesa biznesore që varen nga ai apo klani i tij, kurse të tjerë nuk e kanë guximin që të flasin për të as kur rrinë bashkë sepse frikësohen se mos spiunohen nga njëri-tjetri. Prandaj, kjo hipokrizi nuk mbulohet me zhurmë për hiçgjë. Le të mos na flasin për paga e buxhet të Kosovës.
Së treti, ndonëse flasin për fjalën e lirë e lirinë e shprehjes, për shprehjen e mendimit dhe mendimin e lirë, zhurmuesit e facebook’ut nuk e durojnë fare mendimin që s’përputhet me statusin e tyre në faecbook. I kanë në maje të gjuhës cilësimet si “militantuc i partisë” e “trushpërlarë”, për faktin që aktivisti i VETËVENDOSJE!’s mendon si subjekti të cilit i takon. E në anën tjetër, të gjithë nga ta, e thonë të njëjtën gjë, i kanë të njëjtat kritika apo akuza. Por, këtu, më e rëndësishme është se kjo çka thuhet nga këta “pishtarë të fjalës së lirë”, është ofendim i rëndë për aktivistin politik, në përgjithësi për aktivizmin politik. Ngase, është dëshmuar se aktivisti i VETËVENDOSJE!’s është në gjendje të sakrifikojë çdo gjë për kauzat që i beson dhe janë me interes shtetëror e kombëtar. Kurse, nga pala tjetër, ka hezitim të përhershëm të heqet dorë edhe nga privilegji më i vogël për çkado qoftë. Asnjëri nga ta nuk e prishi rehatinë e tij për asnjë gjë gjithë këto vite. Nëse mund ta dëshmojnë të kundërtën, këta apo kushdo, i ftoj ta bëjnë.
E, së katërti, kur flasim për shtetin dhe kombin, mbase nga leximet e pakta në këtë fushë dhe cektësia që i karakterizon, ta zëmë kur jemi të simbolet e Kosovës, patetizmi dhe folklorizmi i këtyre zhurmuesve që shtiren si “qytetarë të botës” dhe kinse promovojnë modelin liberal, është thjesht i padurueshëm e i neveritshëm. Ndonëse janë kritikë kur një pjesë e qytetarëve nganjeherë promovojnë folklorizma kur është në pyetje flamuri kombëtar, zhurmuesve të facebook’ut, iu ka mbetur vetëm edhe qepja e rrobave me flamurin ahtisarian, ngjashëm si veshja e Linda Morinës, të cilën e bën të famshëm pikërisht këta “mendimtarë”.
Në fund, duhet thënë se nuk dihet se kur do të jetë zhurma e rradhës, por një gjë dihet: prapë do të jetë zhurmë për asgjë. Kaq ofron i revoltuari i Facebook’ut.
Autori është zyrtar për media në Lëvizjen Vetëvendosje