Shtypi gjerman për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit: “Terrori në Kosovë”

Shtypi gjerman për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit: “Terrori në Kosovë”

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan: “Pas sulmit me bombë në kanalin në veri të Kosovës, prej nga vjen uji i rëndësishëm për funksionimin e dy termocentraleve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi Serbinësi përgjegjëse për shpërthimin. Beogradi e hodhi poshtë këtë përgjegjësi. Ndërkohë, policia e Kosovës ka arrestuar tetë të dyshuar gjatë kontrolleve në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë dhe ka njoftuar se gjatë kontrolleve kanë konfiskuar armë dhe municione.

Në raportin e shkurtër të kësaj gazete citohet edhe Kurti me fjalët: “Sulmi është kryer nga profesionistë”. Është një sulm i ri kriminal dhe terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e drejtuara nga Serbia.” Por kjo gazetë gjermane thekson se sfondi i sulmit është “ende i paqartë” dhe se “Beogradi ka mohuar çdo përgjegjësi”.

Berliner Tageszeitung njofton edhe me reagimin e Bashkimit Evropian, i cili e dënoi shpërthimin si një “sulm terrorist”. Gazeta njofton edhe me deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili vlerësoi se ishte një “sulm i neveritshëm, akt i sabotimit të infrastrukturës kritike civile të Kosovës”. Po ashtu gazeta njofton se “kritikës ndërkombëtare pas këtij sulmi iu bashkuan SHBA-ja, Franca dhe Turqia”, dhe se “edhe forcat e KFOR-it të udhëhequra nga NATO-ja kanë bërë thirrje për përmbajtje”.

Gazeta shkruan: “Mediat kosovare besojnë se sulmet janë një fillimi i një lufte hibride, të udhëhequr nga Rusia. Më parë këtë javë, sulmuesit hodhën granata dore në ndërtesën e një bashkie në veri si dhe në një vend tjetër. Përshkallëzimi më i keq në vitet e fundit ndodhi në fund të shtatorit 2023, pas sulmit të paramilitarëve serbë ndaj një patrulle të policisë së Kosovës, kur rreth tridhjetë persona të armatosur sulmuan një patrullë të policisë së Kosovës.”

Ndërsa gazeta “Frankfurter Rundschau” raporton, se pas sulmit në Kosovë, “Prishtina dhe Beogradi po akuzojnë njëri-tjetrin”. Por në të njëjtën kohë gazeta thekson se “Serbia po shpreson në ndihmë nga Rusia dhe SHBA”.

“Qeveria e Serbisë ka kohë që pretendon se po shtypen bashkatdhetarët e saj në Kosovë. Ajo asnjëherë nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe po përpiqet të cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi. Në këtë kontekst, sulmi shihet si përgatitje e terrenit për këtë.” Kjo nuk është aspak një “ëndërr e Serbisë së Madhe”, shkruan gazeta gjermane. /DW

Shpërndaje në: