Shtyhet transformimi i Instagram-it
Zyrtarë të rrjetit social, Instagram, kanë thënë se do të shtyjnë për pak kohë përditësimin e aplikacionit me mundësitë e reja, pas pakënaqësive të shprehura nga njerëz me ndikim.
Në kuadër të transformimit ishte paraparë rritja e përmbajtjes me video dhe rekomandimi i tyre më i shpeshtë.
Megjithatë, përdoruesit kanë thënë se diçka e tillë bllokon përmbajtjen e miqve të tyre.
Më herët gjatë kësaj jave, shefi i Instagram-it, Asam Mosseri, ka postuar disa video në Twitter duke i bërë të ditura ndryshimet, ndonëse ka thënë se dëshiron “të vazhdojë mbështetjen për fotografitë”.
Mirëpo, të enjten, një zëdhënës i Meta-s, kompanisë amë të Instagram-it, ka thënë se është marrë vendim që përditësimet të shtyhen për disa kohë, ashtu që të merren vendimet e duhura.
“Bazuar në gjetjet tona dhe reagimet e komunitetit, ne do të pauzojmë testimin e plotë në Instagram, në mënyrë që të analizojmë edhe mundësi tjera. Përkohësisht do të ulim numrin e rekomandimeve që shihni te përmbajtja juaj”, ka thënë një zyrtar i Meta-s për The Hollywood Reporter.
“Ndonëse ne e dimë se Instagram-i duhet të evoluojë në hap me ndryshimet botërore, neve na duhet kohë për ta bërë këtë gjë si është më së miri”.
Pas postimeve të Mosserit në Twitter, disa njerëz kanë nisur peticion online me thirrjet kundër ndryshimeve në këtë platformë.