Shtyhet seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Shtyhet seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Seanca gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, është shty për një datë tjetër, pasi që mbrojtja kërkoi shtyrjen e saj dhe mos vazhdimin e dëshmitarëve të mbrojtjes, me arsyetimin se kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova do të avancohet nga Themelorja në Gjykatën e Apelit.

Propozimin për shtyrje e dha mbrojtësja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, avokatja Kosovare Kelmendi, duke thënë se po fillojnë një fazë të re të provave si dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes, e që sipas saj, është i padobishëm t’i mohohet trupit të ri gjykues që drejtpërsëdrejti t’i dëgjojë dëshmitarët.

Një mendim të tillë kishin edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë avokatët Sylë Lokaj dhe Flotrent Latifi.

Edhe prokurorja Sahide Gashi, u pajtua duke pohuar se informatat për avancimin e kryetares së trupit gjykues janë të vërteta, mirëpo ajo shtoi se kryetari i gjykatës apo edhe vetë gjyqtarja duhet të kërkojnë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që të shtyhet avancimi i saj deri tek përfundimi i kësaj lënde, pasi që me trupin e ri gjykues çdo gjë do të niste nga fillimi.

Prokurorja Gashi, gjithashtu tha se të dëmtuarit, fëmijët nuk duhet t’i nënshtrohen edhe një herë një përjetimi të kthyer në natën kritike, si dhe të akuzuarit që gjinden në masën e paraburgimit, e që sipas saj, në këto rrethana mendon se për të proceduar prapë dëshmitarët do të jetë një lloj maltretimi.

Ndërkaq, mbrojtësi i viktimave Luan Mehmetaj, e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes, duke thënë se avancimi i gjyqtares në një shkallë tjetër në kuptim gramatikor është koha e ardhshme e pa kryer, e që në këtë shqyrtim gjyqësor janë dëgjuar me dhjetëra dëshmitarë dhe nuk ka problem që edhe ky dëshmitar të dëgjohet edhe sot.

Sipas Mehmetaj, ndryshimi eventual i trupit gjykues që nënkupton kthimin e tij në pikën zero të procedurës penale i përfshinë të gjithë dëshmitarët e tjerë, andaj sipas tij, nuk ka asnjë kuptim procedural, gramatikor, sintetik që ky propozim i mbrojtjes të aprovohet.

Propozimin e mbrojtëses për shtyrje të kësaj seance e kundërshtoi edhe përfaqësuesja e të dëmtuarve, avokatja Fjollë Ibrahimi, si dhe të dëmtuarit tjerë në këtë procedurë.

Më tutje, trupi gjykues pas konsultimit lidhur me propozimin e mbrojtëses Kelmendi, mori vendim që të aprovohet propozimi për shtyrje të seancës, me arsyetimin se gjykimi nuk është para përfundimit dhe se duhet të jenë në dispozicion edhe disa seanca të shqyrtimit gjyqësor dhe me qëllim të zbatimit të drejtpërdrejtë të parimit të shqyrtimit gjyqësor është e arsyeshme që kjo seancë të mos mbahet.

Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohet dëshmitarja Iliriana Berisha.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).

Shpërndaje në: