Shtyhet rigjykimi për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve të Drenasit
Për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Alban Ajvazi të hënën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës është shtyrë rigjykimi ndaj ish zyrtarëve të Komunës së Drenasit, Xhafer Ramajt dhe Shefqet Morinës, të cilët po akuzohen për korrupsion.
Në këtë rast, Morina, ish-shef i sektorit të Gjeodezisë dhe Ramaj, ish-shef i sektorit të Kadastrit në Komunën e Drenasit, po akuzohen se gjatë një periudhe tetëvjeçare, nuk kishin respektuar procedurat ligjore me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore në toka ndërtimore në këtë komunë.
Gjykata njoftoi se gjykatësi Ajvazi mungon në seancën e sotme për arsye shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë seancë nuk u paraqit as i akuzuari Ramaj i cili sipas mbrojtësit të tij, avokatit Ramë Dreshaj ishte rrugës duke ardhur por pasi që nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e seancës ai tha se do ta njoftonte të njëjtin për seancën e radhës.
Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty në shtator të këtij viti.
Ndryshe, në 9 tetor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Ramaj dhe Morina.
Sipas aktakuzës së përpiluar me 24 gusht 2020, i pandehuri Xhafer Ramaj, në pozitën shef i sektorit të gjeodezisë dhe i pandehuri Shefqet Morina, në pozitë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, në cilësinë e personave zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, e kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në vitin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore.
Tutje, thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të pandehurit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në në 16 zona kadastrale, në komunë të Drenasit, ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Karrtoicë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.
Sipas Prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231 mijë e 689 euro. /BetimipërDrejtësi