Shtyhet gjykimi në rastin e njohur si “Transporti”, mungojnë disa të akuzuar

Shtyhet gjykimi në rastin e njohur si “Transporti”, mungojnë disa të  akuzuar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën ka dështuar të mbahet seanca ndaj 18 të akuzuarve për shkak të së mungesës së akuzuarve Liridon Hyseni, Shkelqim Jusaj, Burim Hasani dhe Selami Morina.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit, Hyseni, i cili sipas gjykatës ishte i ftuar në mënyrë të rregullt nga procesverbali i seancës së kaluar, ndërsa mbrojtësi i tij avokati Diar Isufi tha që i njëjti gjendet në Gjermani dhe nuk ka mundur të sigurojë biletë që të jetë prezent në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, në seancën e sotme, mungoi edhe i akuzuari Shkelqim Jusaj, i cili po ashtu sipas kryetarit të trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt. Ndërsa mungesën e tij e arsyetoi avokat Ardit Xhemajli i cili e njoftoi gjykatën se i mbrojturi i tij gjendet në Gjermani, pasi që një familjar i tij është operuar dhe lidhur me këtë çështje do të sjell dokumentacione për arsyen e vizitës atje.

Në seancë munguan për arsye shëndetësore edhe Burim Hasani dhe Selami Morina, por që gjykatës nuk ju prezantua ndonjë dokumentacion relevant për ta dëshmuar një gjë të tillë.

Lidhur me këto mungesa, kryetari i trupit gjykues deklaroi se për të pandehurit të cilët kanë munguar pa arsye në seancën e sotme gjykata do të lëshojë urdhërarrest për sjellje me shoqërim për seancën e radhës.

Po ashtu avokatët e secilit të pandehur që pretenduan se kanë pasur arsye për mungesë në këtë seancë, obligohen që në afat prej 3 ditësh me parashtresë t’ia dorëzojnë gjykatës këto argumente në të kundërtën urdhëresat do të mbeten në fuqi.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.

Ndryshe, ky rast më parë gjykohej në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, mirëpo i njëjti është deleguar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në seancën e mbajtur më 7 maj 2019, me vendim të gjykatës është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Dugagjin Latifi. Po ashtu, procedura ishte veçuar edhe ndaj Besim Zeqirit dhe Ridvan Avdiut, më 22 shkurt 2017 për shkak se gjendeshin me vendbanim jashtë Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 nëntor 2016, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Besim Zeqiri, Ismet Zeqiri, Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Besnik Istrefi dhe Azem Islami, ngarkohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, “Kontrabandim i mallrave” nga neni 317, “Tregtia e ndaluar” nga neni 305, dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, kjo aktakuzë ngarkon edhe të pandehurit, Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikqi, Fadil Qollaku dhe Albion Lokaj, për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, “Kontrabandim i mallrave” nga neni 317, dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 të KPRK-së, akuzohen secili veç e veç: Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Qollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikqi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e përmendur, në fillim të vitit 2012, kanë themeluar një grup kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare, në atë mënyrë që përmes rrugëve anësore me kamionë, cisterna dhe mjete të tjera, në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut, kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara si: derivate të naftës, vajra motorike, e të tjera.

Bazuar në aktakuzë, të pandehurit Besim dhe Ismet Zeqiri, në bashkëpunim me të gjithë pjesëtarët e grupit, nga data 11 qershor 2014 e deri më 10 dhjetor 2014, nga Serbia për në Kosovë, kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës (nga 12.000 litra), 2 ngarkesa me vaj hidrol (nga 10.000 litra) dhe 3 ngarkesa me nitrotretës (nga 7.000 litra).

Mallrat e kontrabanduara thuhet se ky grup kriminal më pas i ka shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në dyqane dhe depo të ndryshme, e gjitha kjo me qëllim që vetes dhe personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore, doganore apo tarifave të tjera ose detyrimeve doganore që paguhen me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore që tejkalon shumën prej 30 mijë euro, me ç’rast me këtë ngarkohen se kanë kryer veprat penale të cekura më lartë.

Shpërndaje në: