Shtuni: Jemi në një fazë problematike të marrëdhënieve Kosovë-SHBA
![Shtuni: Jemi në një fazë problematike të marrëdhënieve Kosovë-SHBA](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/stuni-439x300.png)
Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri që vepron në Uashington, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e re e Kosovës nga cilado forcë politike që formohet, duhet ta ketë të qartë realitetin mbi marrëdhëniet aktuale të Kosovës me aleatët dhe të krijojë një strategji për politikën e jashtme.
Në intervistën për REL-in, Shtuni shtoi se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të trajtohen me seriozitet, sidomos tash kur në SHBA është president Donald Trump.
“Në qoftë se e kuptojmë se çfarë prioriteti ka presidenti Trump, në qoftë se vazhdohet me dredhi, me gjysmë të vërteta dhe premtime të pambajtura, kam përshtypjen se ka për të pasur probleme në marrëdhënie”, theksoi ai.
I pyetur nëse SHBA-ja do të ketë angazhim më të madh në dialogun Kosovë-Serbi, sapo Kosova të formojë një qeveri të re, Shtuni tha se kjo varet edhe nga formati i bisedimeve, por edhe nga koha që do t’ia marrin administratës Trump problemet e tjera gjeopolitike në botë.
Duhet një rikalibrim i menjëhershëm i politikës në Kosovë ndaj qasjes me Shtetet e Bashkuara
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë detyrat që e presin Qeverinë e re të vendit, pavarësisht nga kush formohet, sa u përket raporteve me aleatët?
Adrian Shtuni: Janë dy-tri pika, detyra kryesore është riparimi i marrëdhënieve me aleatët dhe mirëmbajtja e tyre, do të thotë po flas për partnerët strategjikë, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky partneritet duhet të trajtohet me seriozitet, me maturi dhe mbi të gjitha me ndershmëri, sepse më duket sikur edhe nga retorika ka munguar ndershmëria ose sinqeriteti, sidomos jo vetëm në komunikimin me partnerët, por edhe me publikun, ku në njëfarë mënyre është shitur sapuni për djathë.
Do të thotë, marrëdhëniet me aleatët, me partnerët strategjikë nuk janë në një pikë të mirë, kjo nuk është në favor të Kosovës. Prandaj, ata që e kanë sjellë në këtë pikë duhet të jenë të sinqertë në komunikimin me publikun dhe ta pranojnë këtë gjë dhe të japin llogari pse është në këtë pikë marrëdhënia me partnerët strategjikë.
Po të shikojmë pikën e dytë në plan më të gjerë, politika në Kosovë duhet të lexojë qartë dhe pa asnjë vonesë lëvizjen tektonike në skenën politike, si në aspektin gjeopolitik dhe në politikën e brendshme të SHBA-së.
Prandaj, duhet një rikalibrim i menjëhershëm i politikës në Kosovë – pavarësisht se kush e formon Qeverinë – ndaj qasjes me Shtetet e Bashkuara, me Bashkimin Evropian, me NATO-n dhe duhet të ketë një prezencë të shtuar në tavolinat si bilaterale ashtu edhe multilaterale, pra si i drejtpërdrejtë komunikimi me SHBA-në këtu në Uashington ashtu edhe në forumet ndërkombëtare ku komunikohet qartë me partnerët strategjikë. Duhet të jemi të qartë për një gjë, është koha që të heqim dorë nga nacionalizmi romantik, folkloristik dhe për ta zëvendësuar atë me patriotizëm pragmatik dhe strategjik.
Kosova do të përballet me sfida shumë shpejt, edhe për arsye të ndryshimeve politike në SHBA, edhe për shkak të ndryshimeve gjeopolitike, prandaj duhet që kushdo që të jetë në qeveri, të ketë një qasje strategjike dhe të krijojë një forum këshillimi strategjik për politikën e jashtme dhe për menaxhimin e dialogut me Serbinë.
“Kush s’e kupton që raportet Kosovë-SHBA janë të tensionuara, jeton në një realitet paralel”
Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për raportet e Kosovës me SHBA-në, z.Shtuni si i komentoni deklaratat e fundit nga Richard Grenell, i dërguar i SHBA-së për misione të veçanta në lidhje me kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e tij, duke e cilësuar atë si partnere jo të besueshme?
Adrian Shtuni: Kjo lloj deklarate është mjaft brengosëse, por nuk është befasuese. Në çdo marrëdhënie, qoftë familjare, shoqërore a politike, besueshmëria cenohet kur ti thua një gjë dhe bën një gjë tjetër dhe nuk i përmbahesh fjalës që ke dhënë, nuk u përmbahesh obligimeve që ke marrë para partnerëve. Pra, besueshmëria padyshim është cenuar, besueshmëria e Qeverisë së Kosovës si interlekutor, dikush e thotë me fjalë, dikush e thotë me vepra. Janë pikërisht sjelljet sfiduese jobashkëpunuese që e kanë sjell Kosovën në këtë gjendje ku është nën masa ndëshkuesenga Bashkimi Evropian.
Edhe masat të njëjtën gjë komunikojnë, sepse nuk ka arsye të marrësh masa nëse je bashkëpunues. Pra, duhet të lexohet qartë realiteti dhe komunikimi me popullin duhet të jetë më i sinqertë dhe më pak përralla me babadimrin. Ata që nuk e kuptojnë se marrëdhëniet SHBA-Kosovë apo BE-Kosovë aktualisht janë të tensionuara, jetojnë në një realitet paralel dhe mungesa e leximit të realitetit do të jetë e kushtueshme për Kosovën, një kosto që do të ishte e padrejtë për popullin e Kosovës.
*Radio Evropa e Lirë transmetoi gjatë 9 shkurtit një emision special për zgjedhjet parlamentare 2025 në Kosovë. Ndiqeni reprizën më poshtë:
Radio Evropa e Lirë: Gjatë fushatës Kurti thoshte se opozita po mundohet të gjejë dikë në Uashington që ta sulmojë Qeverinë e tij. A mund të jetë nxitur nga opozita në Kosovë deklarimi i fundit i Grenellit?
Adrian Shtuni: Z.Grenell nuk është mashë, nuk është instrument i politikës së Kosovës dhe kushdo që e thotë këtë, është naiv dhe nuk e kupton si është politika dhe për kë është duke folur, kur flasim për politikën në SHBA jo në Ballkan. Z.Grenell gëzon besueshmëri të plotë te presidenti Trump, ka qasje të drejtpërdrejtë, e ka veshin e tij, presidenti Trump e dëgjon atë dhe Grenell ka ndikim të madh në këtë administratë. Për këtë arsye deklaratat e tij duhet të merren seriozisht dhe çdo përgjigje ndaj tyre duhet të peshohet me kthjelltësi dhe me kujdes dhe jo të krijohen lojëra dhe narrativë të pabesueshëm se z.Grenell qenka instrumentalizuar nga opozita, gjë e cila për mua është aspak e besueshme.
Radio Evropa e Lirë: Sipas Kurtit, partneriteti i Kosovës me SHBA-në në të kaluarën ka qenë ose me agresivitet ose me servilitet, kurse ai thotë se partneritetin me SHBA-në e sheh me normalitet. Si ju duket ky përkufizim i marrëdhënieve?
Adrian Shtuni: Prapë po them duket se ka një shkëputje nga realiteti që e njohim të gjithë, sepse ne në të njëjtin realitet jetojmë dhe dëgjojmë të njëjtat komente nga të gjithë liderët, ambasadorët e përfaqësuesit shtetërorë, unë nuk e ndaj të njëjtin mendim me z.Kurti. Përkundrazi, nëse e shohim nga pikëvështrimi amerikan dhe i Bashkimit Evropian — po flas nga deklaratat që kanë bërë zyrtarët e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian dhe jo nga një person, po flasim për qasje të SHBA-së, BE-së e NATO-s – më rezulton që ka një problem në mënyrën e komunikimit dhe të veprimit nga ana e Qeverisë aktuale të Kosovës me partnerët.
Nuk më duket se janë ankuar për bashkëpunimin me qeveritë e kaluara të Kosovës, përkundrazi nëse e mbajmë mend deklaratën e ish-ambasadorit Hovenier që tha “po përballemi me sfida të ndryshme nga Qeveria aktuale dhe ky është ndryshimi nga marrëdhëniet që kemi pasur më parë me qeveritë e kaluara”. Dhe, nëse ka një dëmtim të nivelit të partneritetit midis Kosovës dhe SHBA-së, pra rënie të cilësisë së partneritetit, atëherë kemi rënie në krahasim të asaj që ka qenë më përpara, që do të thotë se më përpara partneriteti ka qenë më i besueshëm dhe ka qenë në vendin ku duhet të ishte, për të arritur synime që janë arritur gradualisht, me njohjen e shtetësisë së Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare etj.
Unë nuk po them që marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë perfekte ose që s’ka pasur probleme, por krahasimisht siç është tani me më përpara, mund të themi se tani jemi në një fazë problematike të marrëdhënieve Kosovë-SHBA, po flas për marrëdhënie shtetërore.
Radio Evropa e Lirë: Nëse nga këto zgjedhje del një Qeveri me Vetëvendosjen në udhëheqje, si pritet të jenë marrëdhëniet me SHBA-në që tash ka president Donald Trumpin?
Adrian Shtuni: Unë sugjeroj që marrëdhënia e Kosovës me SHBA-në është jetike, është marrëdhënie që duhet prioritizuar, që duhet të shikohet me seriozitet të jashtëzakonshëm, sidomos duke pasur parasysh mënyrën se si presidenti Trump parapëlqen të komunikojë, është shumë i drejtpërdrejtë dhe e vlerëson shumë besnikërinë. Në qoftë se e kuptojmë se çfarë prioriteti ka presidenti Trump, në qoftë se vazhdohet me dredhi, me gjysmë të vërteta dhe premtime të pambajtura, kam përshtypjen se ka për të pasur probleme në marrëdhënie dhe kjo nuk imitohet te një qeveri apo te një tjetër, kushdo që e bën Qeverinë në Kosovë, duhet të jetë i qartë për realitetin në të cilin jemi aktualisht.
“Ekziston mundësia që edhe populli të ketë pasoja”
Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik që këto marrëdhënie shtetërore Kosovë-SHBA të ndikojnë edhe në marrëdhëniet e SHBA-së me popullin e Kosovës?
Adrian Shtuni: Fatkeqësisht, për shkak të momentit ku jemi dhe paparashikueshmërisë së rrjedhës së gjërave, ekziston mundësia që edhe populli të ketë pasoja, jo vetëm në aspektin e asaj që nuk dihet, por edhe të asaj që dihet. Po të shohim janë bllokuar fondet zhvillimore të Bashkimit Evropian, ajo është në një mënyrë të drejtpërdrejtë ndikuese në mirëqenien e popullit të Kosovës, për të mos u futur në aspektet e sigurisë se çfarë do të ndodhte nëse do të kishte një lodhje tek aleatët me qasjen jobashkëpunuese dhe pastaj do të rishikonin qasjen e tyre ndaj Kosovës. Kushdo që e formon Qeverinë, duhet të zgjohet dhe të kuptojë se jemi para një momenti vendimtar për të ardhmen e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: A pritet angazhim më i madh i administratës Trump në procesin e dialogut Kosovë-Serbi pasi Qeveria e re të marrë detyrën?
Adrian Shtuni: Angazhimi i SHBA-së me Kosovën nuk është unilateral, por varet edhe me mënyrën se si sillet Kosova. Unë shpresoj se do të ketë një angazhim më të madh të SHBA-së për të gjetur një formulë që të arrihet normalizimi në terren i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, nuk varet vetëm nga Shtetet e Bashkuara, varet edhe nga formati i paraparë, i zbatuar tash e një dekadë ku është Bashkimi Evropian ai që ndërmjetëson bisedimet.
Duhet pasur parasysh që në planin gjeopolitik jemi duke përjetuar shumë sfida, të cilat janë goxha më të mëdha në planin global. Po flas, ka një luftë në Ukrainë, probleme të tjera në Gaza, në Lindjen e Mesme, në Siri, ka probleme madhore për mënyrën se si po sillet Kina ndaj Tajvanit dhe fqinjëve të tjerë, dhe kështu ka shumë probleme më të mëdha që do të tërheqin vëmendjen dhe do të marrin kohën e administratës Trump para procesit të dialogut Kosovë-Serbi.