Shtohen rastet e dhunës ndaj grave
Dy ditë pasi një grua nga Graçanica vdiq në QKUK, pasi nuk arriti t’u mbijetonte goditjeve brutale të bashkëshortit të saj, një tjetër grua ka raportuar në Polici se u rrah brutalisht nga bashkëshorti, i cili dyshohet se më pas iku në Perëndim. Sipas sociologëve, për të parandaluar aktet e dhunshme në shoqërinë kosovare duhet fuqizimi i grave për të denoncuar në kohë dhunuesit.
Një grua në Prishtinë ka raportuar se është rrahur brutalisht nga bashkëshorti i saj në orët e hershme të së enjtes.
Gruaja e ka raportuar rastin në polici të shtunën, ndërsa ajo është dërguar për trajtim mjekësor dhe me urdhër të prokurorit është vendosur në strehimore bashkë me katër fëmijët e saj.
I dyshuari është në arrati e, sipas viktimës, ai ka ikur në shtetet perëndimore.
Ky rast ndodhi në të njëjtën javë kur një grua nga Graçanica vdiq në QKUK, pak ditë pasi dyshohet se u rrah nga bashkëshorti i saj.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një muaj paraburgim ndaj burrit D. ZH. që dyshohet për këtë rast.
“Më datë 31.07.2024 rreth orës 21:15 minuta, në fshatin Gushtericë e Poshtme, Komuna e Graçanicës, përkatësisht në shtëpinë e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes, bashkëshorten e tij, përkatësisht tani të ndjerën M. ZH., në atë mënyrë që meqenëse i pandehuri D.ZH., pasi kishte përfunduar punën ishte ndaluar në një kafene në fshatin Prelluzhë duke konsumuar alkool, me t’u kthyer në shtëpi, e kishte kapur tani të ndjerën për koke duke e përplasur në shkallët e betonit dhe duke i shkaktuar lëndime trupore si dhe humbje të vetëdijes. E njëjta dërgohet në QKUK dhe hospitalizohet deri me datë 02.08.2024, ku rreth orës 03:40 të mëngjesit, ndërron jetë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Gjykatës, në të cilin kumtohet vendimi për t’ia shqiptuar masën e paraburgimit të dyshuarit.
Sipas sociologes Flakë Ymeri, për të parandaluar aktet e dhunshme në shoqërinë kosovare duhet fuqizimi i grave për të denoncuar në kohë dhunuesit e po ashtu, sipas saj, nevojitet edhe rritje e dënimeve.
“Emancipimi i grave dhe arsimimi i tyre u jep një vlerë të shtuar atyre në shoqëri dhe familje në mënyrë që të trajtohen edhe ndryshe, mirëpo këtu duhet t’i jepet mundësia nga rrethi ku ato jetojnë, në mënyrë që autoriteti i tyre të jetë në nivelin e duhur. Sigurisht që parandalimi i rasteve bëhet përmes raportimit të tyre, por shpeshherë jemi përballur me raste që janë raportuar radhazi, mirëpo nuk janë marrë hapat e duhur nga autoritetet”, ka thënë sociologia Ymeri.
Bazuar në statistikat e përgjithshme të Policisë së Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë raportuar afro 1.500 raste të dhunës në familje, e në rreth 1.200 prej tyre viktima janë gratë.
Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra. Në të shumtën e rasteve autorë të vrasjeve ishin bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.