Shtimi i dëshirës për të patur një fëmijë pas moshës 40 vjeçare, çfarë këshillojnë gjinekologët
Gjinekologët dhe mjekët obstetër duhet ta shohin gruan me një qasje jo vetëm klinike, por edhe duke treguar vëmendje ndaj kushteve sociale dhe psikologjike në të gjitha fazat e jetës, duke marrë parasysh rritjen progresive të moshës, në të cilën kërkohet shtatzënia, shtimin e sjelljeve të rrezikut mes brezave më të rinj, papërgjegjshmërinë në lidhje me praktikën kontraceptive, dhunën gjinore dhe ndikimin e saj në shëndetin e grave.
Ky është mesazhi që vjen nga Kongresi Kombëtar i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës i organizuar në Romë nga shoqëritë kryesore shkencore të ekspertëve në fushë: me titull: “Gruaja, shëndeti dhe mirëqenia: mjekësia e provave dhe sfidat e ardhshme”.
“Shtimi i dëshirës për të patur një fëmijë pas moshës 40 vjeçare, ecën përkrah me shtimin e ndërprerjeve vullnetare të shtatzënisë (IVG) nga më të rejat, sidomos në grupmoshën 18-25 vjeç”, nënvizon Valeria Dubini, bashkëpresidente e Kongresit.
Edhe Pierluigi Benedetti (Poliklinika Umberto I në Romë), bashkëpresident i Kongresit, shton: “Duke pasur parasysh që shëndeti i grave është një element kyç për mirëfunksionimin e një shoqërie, ne si gjinekologë kemi një përgjegjësi të madhe për t’i shoqëruar gratë në faza të ndryshme të jetës, duke ndihmuar në ndryshimet që sjell mosha, si në aspektin e shëndetit riprodhues, ashtu edhe në aspektin mirëqenies së përgjithshme”.
Maria Giovanna (Universiteti “San Camillo Forlanini”, Romë), bashkëpresidente e Kongresit, e përmbyll: “Marrëdhënia midis gruas dhe gjinekologut të saj është gjithnjë e bazuar në dialog dhe në shkëmbimin e informacionit, gjë që u jep mundësi mjekëve për të kuptuar më mirë jo vetëm aspektet klinike, por edhe psikologjike dhe sociale, duke bërë të mundur kështu personalizimin e terapive të bazuara në nevojat specifike të pacientëve”