Shtet Bektashi në Shqipëri, Kurti thotë se ideja e Ramës kërkon “jo vetëm thjesht debat publik”

Shtet Bektashi në Shqipëri, Kurti thotë se ideja e Ramës kërkon “jo vetëm thjesht debat publik”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se ideja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për “transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”, kërkon më shumë sesa debat publik.

Kurti në fund të shtatorit ishte në New York të SHBA-së për javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Nga OKB-ja, Rama prezantoi idenë për Shtetin Bektashi, për të cilën Kurti u pyet në një intervistë në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane Struga në SHBA, të publikuar të shtunën.

“Nuk e di tash se si është inicuar kjo dhe si do të shkojë procesi më tej, çfarë vendime duhet të merren për këtë nismë dhe mbase do të ketë edhe një debat publik në Shqipëri dhe te shqiptarët në përgjithësi. Po besoj që nuk ka gjë për të cilën ne nuk debatojmë dhe kjo është një çështje e rëndësishme”, tha kryeministri i Kosovës.

“Pa dyshim që bektashinjtë kanë kontribuar shumë në kombformimin shqiptar, në pavarësinë e Shqipërisë, në rilindjen tonë kombëtare dhe tash kjo mirënjohje çfarë forme duhet të marrë, pa dyshim që kërkon jo vetëm thjesht debat publik, por kërkon edhe një kontribut të historianëve, albanologëve, e kështu me radhë”, tha Kurti.

Me idenë për “transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”, kryeministri i Shqipërisë e kishte mbyllur fjalën e tij në “Samitin e së ardhmes” të mbajtur në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Paraprakisht, idenë e tij ia bëri të ditur gazetës amerikane New York Times.

Këtë, Selia Botërore e Bektashinjve e cilësoi menjëherë “nismë të jashtëzakonshme”, ndërsa ajo nxiti një debat në Shqipëri.

Shpërndaje në: