Shtëpia është vendi më i rrezikshëm për gratë
Sipas një studimi të ri nga Kombet e Bashkuara, thuhet se vendi më i rrezikshëm për gratë është shtëpia!
Nga gjithsej 87,000 gra të vrara vitin e kaluar, rreth 50,000 prej tyre –- apo 58% — janë vrarë nga partnerët apo anëtarët familjarë.
Më shumë se 30% e grave janë vrarë qëllimisht në vitin 2017 nga një ish- partner ose nga partneri aktual, ndërkaq çdo ditë vriten 137 gra nga ndonjë anëtarë familjarë.
Pra, studimi ka treguar se femrat janë shumë më të prira të vdesin nga duart e një personi që e njohin sesa nga një i panjohur.
Ekspertët thonë se femrat vazhdojnë ta paguajnë çmimin më të lartë si rezultat i pabarazisë gjinore, diskriminimit dhe stereotipeve negative.
Në tërë botën, Azia është regjioni me numrin më të lartë të femrave që vriten nga partnerët apo anëtarët familjarë, ndjekur pas nga Afrika, Amerika, Evropa dhe Oqeania.
Ky studim ka kërkuar për një seri masash në mënyrë që të luftohet kjo dukuri globale, duke përfshirë koordinimin mes policisë, sistemit të drejtësisë, shërbimeve sociale dhe të shëndetit, e gjithashtu, siç thonë ekspertët, edhe meshkujt duhet të përfshihen më shumë për ta adresuar këtë problem.