Shtëpia e Bardhë i kërkon Putinit të mos përzihet në zgjedhjet amerikane
Shtëpia e Bardhë i ka bërë thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të “mos ndërhyjë më” në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, pasi ai shprehu mbështetjen e tij për nënpresidenten amerikane, Kamala Harris.
Duke folur në Forumin e Euroazisë Lindore në qytetin rus Vlladivostok të enjten, Putini tha se Moska parapëlqen që Harris t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit në SHBA, sipas portalit Meduza.
“I parapëlqyeri ynë ishte [Joe] Bideni. Ai është tërhequr nga gara, por ai rekomandoi të mbështetet Harrisi. Dhe, ne do ta bëjmë këtë. Ne do ta mbështesim atë”, tha Putini.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u përgjigj duke thënë se Putini “nuk duhet ta mbështesë askënd në asnjë mënyrë”.
Kirby shtoi se njerëzit e vetëm që duhet të vendosin se kush duhet të jetë presidenti i ardhshëm janë qytetarët amerikanë.
“Ne do ta vlerësonim shumë nëse Putini… nuk flet më për zgjedhjet dhe nuk përzihet më në to”, theksoi Kibry.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara ngritën aktakuzë kundër dy menaxherëve të një televizioni shtetëror rus dhe e akuzuan Kremlinin për kryerjen e një operacioni të fshehtë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.
Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, tha se televizioni RT, i njohur më parë si Rusia Sot, dhe dy menaxherët e tij me bazë në Moskë, e kanë orkestruar “një skemë në vlerë 10 milionë dollarë për të krijuar dhe shpërndarë përmbajtje te qytetarët amerikanë me mesazhe të fshehta të qeverisë ruse”.
Një muaj më parë, zëvendësprokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Lisa Monaco, tha në një fjalim se Rusia ishte kërcënimi kryesor për zgjedhjet në SHBA.
Shtetasit amerikanë do të votojnë më 5 nëntor në zgjedhjet presidenciale.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është kandidat i republikanëve në këtë garë, derisa nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, pritet të shpallet kandidate e demokratëve./rel