Shtëpia e Bardhë: Bideni do ta përfundojë mandatin
Shtëpia e Bardhë ka reaguar ndaj thirrjeve që u bënë të dielën duke kërkuar që Joe Biden të dorëhiqet edhe nga posti i presidentit.
Ky institucion ka thënë se Bideni do ta përfundojë mandatin e tij presidencial, derisa i përmendi disa prej punëve që ai i bëri gjatë qeverisjes.
“Presidenti Biden trashëgoi një ekonomi në rënie të lirë, një shkallë të lartë të krimit të dhunshëm dhe aleanca të shkatërruara nga paraardhësi i tij. Ai (Bideni) e ktheu atë për t’i dhënë një rritje më të fuqishme ekonomike në botë dhe shkallën më të ulët të krimit të dhunshëm në gati 50 vjet, duke e bërë NATO-n më të madhe se kurrë. Ai mezi pret të përfundojë mandatin e tij dhe të japë rezultate më historike për popullin amerikan”, ka deklaruar për CNN zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates.
Ai ka potencuar se Bideni, ndonëse u tërhoq nga gara për t’u rizgjedhur në krye të SHBA-së, do të vazhdojë luftën për t’i mbrojtur liritë e amerikanëve “nga ndalimet radikale të abortit dhe sulmet ndaj shtetit të se drejtës”.