Shqiptarët konsumojnë më pak kafe se popujt e tjerë të rajonit
Tregu i Evropës Lindore për kafe, i cili dominohet nga Rusia dhe Polonia, u rrit 5.3 për qind vitin e kaluar në 7.45 miliardë dollarë, krahasuar me 1.8 për qind në Evropën Perëndimore, sipas Euromonitor International. Sipas këtyre të dhënave, edhe Shqipëria përfshihet në shtetet që kanë pasur rritje të konsumit të kafesë (kg/kapital) përgjatë 2011-2016, përkatësisht 0.1 %. Në rajon, Maqedonia 0.2%, Kosova 0.3 %, Mali i Zi 0.4 %.
Rritja në kafene dhe kërkesa në dyqane me pakicë do të thotë që Evropa lindore po shndërrohet në një rajon relativisht të ndritshëm, përkundrejt sfondit të rritjes së ulët të kërkesës globale për kafen dhe tregjet e mbetura në stanjacion në perëndim. Zgjerimi i ekonomive dhe rritja e pagave po nxisin shpenzimet e konsumatorëve, duke krijuar mundësi për zinxhirë të ndryshëm kafesë në këto vende.
Në një raport të mëparshëm, theksohej se shqiptarët janë popull kafe-dashës, sipas të dhënave të bëra publike nga Euromonitor International dhe kërkimit nga revista prestigjioze The Economist. Shqipëria, sipas të dhënave, konsumon kafe më tepër se sa çajin. Shtete si Italia, Greqia, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia kanë të njëjtat tendenca.
Sipas të dhënave nga dogana, importi i kafesë ishte 8,884 tonë në 2016-n. Në pesë vitet e fundit, importi i kafesë ka shënuar një rritje me gati 30%. Vendet kryesore nga të cilat importohet kafeja drejt vendit tonë janë Greqia dhe Italia.
Megjithatë, edhe pse importet e kafesë janë rritur ndjeshëm, përsëri jemi të fundit në rajon për sa i përket konsumit për frymë.
Nga të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në importin e publikuar nga Doganat dhe shifrat e popullsisë së INSTAT, një shqiptar konsumon mesatarisht 3.1 kg kafe në një vit, më e ulëta në rajon.
Të parët në rajon për konsumin më të lartë të kafesë janë serbët. Një serb konsumon mesatarisht 5.4 kilogramë kafe për frymë. Të dytët renditën boshnjakët me 4.3 kilogramë për frymë.
Ndër vendet me konsumin më të lartë për frymë të kafesë janë Vendet Skandinave. Vendi i parë në botë për konsumin e kafesë është Finlanda me 9.1 kilogramë kafe për frymë në vit. Të dytët me konsum të lartë renditen norvegjezët, të cilët sipas të dhënave, konsumojnë rreth 7.2 kilogramë për person gjatë një viti.
Nga të dhënat e përpunuara të konsumit të kafesë për frymë, vendet aziatike kanë sasinë më të ulët të konsumit për frymë të kafesë në botë. Kjo lidhet edhe më kulturën e këtyre vendeve, të cilët konsumojnë çaj në vend të kafesë.