Shqipëria zhgënjen në debutim, të gjithë sportistët humbën në ‘Minsk 2019’

Shqipëria zhgënjen në debutim, të gjithë sportistët humbën në ‘Minsk 2019’

Aventura e delegacionit kuqezi në Lojërat Olimpike Europiane “Minsk 2019” nuk ka nisur mirë. Të gjithë sportistët kuqezinj që kanë garuar sot janë mundur në duelet e tyre. Gjithsesi, lajmi i vetëm i mirë vjen për Kosovën, ku Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në peshën -52kg.

Të parët që garuan për Shqipërinë ishin qitësit Manuela Delilaj dhe Henri Rrufa, në garën 10m pistoletë ajër, ekipore miks. Dyshja kuqezi u klasifikua në vendin e 27-të, atë të fundit, duke grumbulluar 554 pikë. Për pasojë, qitësit kuqezinj u eliminuan që në start.

Boksieri Arjon Kajoshi garoi në peshën 75kg. Që në duelin e tij të parë, shkodrani është mundur 4-1 nga bjellorusi Vadzim Pankou. Katër gjyqtarë kanë vituar për bjellorusin (30-27, 29-28, 29-28 dhe 30-27), ndërsa një gjyqtar për Kajoshin (29-28). Kështu, aventura e shqiptarit është mbyllur shumë shpejt, pa lënë shumë gjurmë edhe pse stafi kuqezi ka protestuar për gjykim të njëanshëm, në favor të boksierit vendës.

Në sportin e judo, sportisti Indrit Çullhaj është mundur me “ippon” që në duelin e parë, atë ndaj sllovenit Adrian Gomboc, duke u eliminuar që në start. Sfida ishte e vlefshme për peshën -66kg.

Në judo ka triumfuar për Kosovën kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, që garoi në peshën -52kg. Ajo i fitoi të 4 duelet e zhvilluara në këtë Olimpiadë Europiane, duke i dhënë Kosovës medaljen e parë të artë në histori në një event të tillë.

Në raundin e parë, Kelmendi mundi zviceranen Fabienne Kocher dhe më pas polaken Karolina Peenkoëska. Në gjysmëfinale, sportistja kosovare fitoi ndaj francezes Amandine Buchard, ndërsa në finale Kelmendi triumfoi ndaj ruses Natalia Kuziutina.

 

Shpërndaje në: