Shqipëria përballet me zjarre të shumta dhe temperatura të larta
Prej më shumë se 2 muajsh zjarret vazhdojnë të djegin në Shqipëri me mijëra hektarë pyje dhe kullota. Thuajse çdo ditë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton për dhjetëra vatra zjarri nga veriu në jug të vendit. Vetëm gjatë ditës së hënë u raportuan 47 vatra zjarri, nga të cilat është bërë e mundur të shuhen 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive. Kjo është edhe dita me numrin më të madh të vatrave të zjarrit, të përhapura në sipërfaqet pyjore të vendit, si dhe një nga ditët me temperaturat më të larta të regjistruara gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht në Shqipëri.
Situata është më problematike në zonat e mbrojtura, ku vatrat e zjarreve po vazhdojnë me shpejtësi të përhapen. Kështu, zjarret e përhapura në territorin e Maqedonisë së Veriut janë shfaqur edhe në brendësi të territorit të Shqipërisë, në Parkun Kombëtar të Prespës, në Malin e Thatë, ku pavarësisht ndërhyrjes së strukturave vendore, zjarri vazhdon të jetë aktiv për shkak të terrenit të vështirë.
Gjithashtu, në Tropojë, në fshatin Çerem, vatra e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Alpeve është përhapur dhe terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen e forcave të specializuara për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore. Por zjarret kanë prekur gjatë muajit të korrikut dhe ditëve të para të gushtit edhe parkun kombëtar të Lurës në Dibër si dhe parkun arkeologjik të Finiqit, ndërsa rrezikuan edhe një numër resortesh në vijën bregdetare të Shëngjinit.