Shqipëria nesër përballë Ukrainës, Sylvinho: Grupi mbetet i hapur
Shqipëria do të përballet nesër me Ukrainën në sfidën e fundit të vlefshme për grupin B1 të Ligës së Kombeve.
Para ndeshjes në stadiumin “Arena Kombëtare” ka folur trajneri i kuqezinjve, Sylvinho.
Ai vazhdon të besojë se ky grup është i paparashikuar dhe se gjithçka mund të ndodh.
“E kemi thënë para tre muajsh që është i vetmi grup që mund të ndodhë çdo gjë, të gjitha kanë bërë Europianin, kanë lojtarë të fortë dhe kanë bërë mirë. Çdo ndeshje është e ekuilibruar. Por ne përgatitim ndeshjen për të fituar, me gjithë respektin për Ukrainën, është teknikisht shumë e fortë. Ne jemi në shtëpi, luajmë me njerëzit tanë. Ne kemi mundësi që nëse fitojmë, ndoshta marrim vendin e parë. Por e përgatitim për të fituar, askush nuk e përgatit për të barazuar”, ka thënë ai fillimisht në konferencë për media.
Sylvinho foli edhe për mungesat e mundshme për ndeshjen e nesërme.
Jasir Asani ishte lënduar në takimin ndaj Çekisë, duke lëshuar lojën qysh në pjesën e parë të takimit.
“Nëse Tuci është 100% ka mundësi të shkojë në ndeshje. Unë flas gjithmonë me lojtarët, por zgjedhjen pastaj e marr unë. Asani ka bërë rezonancë magnetike dhe duhet vlerësuar. Ai ka mundësi, të shohim, duhet të presim. Por siç e kam thënë, nesër është një ditë tjetër. Asani sot do të bëjë stërvitje vetëm, do të marrë pjesë pak nga pak e të shohim nëse e përfundon apo jo stërvitjen. Nesër do flas me lojtarin”, ka shtuar më tutje tekniku brazilian.
Ndeshja Shqipëri – Ukrainë luhet nesër me fillim nga ora 20:45.
Shqipëria është në vendin e tretë me 7 pikë, aq sa ka edhe Gjeorgjia në vendin e dytë.
8 sosh i ka Çekia në vendin e parë, kurse e fundit në grup është Ukraina me pesë pikë.