Shqipëria ia gërditë Kosovës: Pse televizionet kosovare janë kaq të mërzitshme?
Mëngjesi shumë lehtë transformohet në darkë, nëse krejt çka jeni duke bërë është kërkimi i diçkaje interesante për të parë në ndonjë televizion kosovar.
Programe të mëngjesit me të ftuar të mërzitshëm e tema të mërzitshme, mesditë që karakterizohet vetëm me zhvillime politike e informim të numrit ditor të të infektuarve me Covid-19 – gjë të cilën e kuptojmë me një klikim të shpejtë nëpër rrjetet sociale – dhe mbrëmjen e ruajnë për diçka që u duket tejet speciale, si debatet me analistë.
Oh Zot i madh… ata janë të bindur njëmend se debatet me analistë politikë u interesojnë më së shumti kosovarëve, teksa ua servojnë në kohën më të mirë të mundshme të ditës – sikur 8 orët e lodhshme në punë nuk na mjaftojnë, krejt çka mendojmë të shikojmë kur dëshirojmë të kalojmë kohë kualitative me familjen janë debatet politike.
Imagjinoni injorancën e thellë në të cilën duhet të jetosh për të menduar se debatet politike e kanë atë impakt në jetën tonë sa që ne duam t’i shikojmë çdo natë nga ora 20:00 – 21:00 kur kemi pak kohë të lirë për rekreativitet.
Në kontrast me televizionet shqiptare, të cilat kanë krijuar kontinuitet impresiv të ngritjes së nivelit dhe materialeve që i shfaqin nëpër televizionet e tyre, ato të Kosovës janë zhytur në botën e çudirave duke dështuar t’u ikin apetiteve personale që i ndërlidhin me politikë.
Big Brother Albania së fundmi theu rekord historik sa i përket shikueshmërisë. Përkundër qëndrimeve negative të disa ‘ekspertëve’ në rrjetet sociale ndaj spektakleve të tilla, numrat nuk duan shumë koment.
Tash, a është qëllimi t’u ofrohet njerëzve ajo që duan të shikojnë, apo atë çka ju mendoni se duhet të shikojnë?
Ata që fshihen prapa medieve kosovare me nam, ende nuk e kanë kuptuar një gjë; shumica prej nesh nuk e marrim aq seriozisht televizionin.
Veç atyre që janë të ndërlidhur direkt me botën politike, vështirë se për qejf një nënë, një motër dhe një vëlla – apo burrë, grua dhe fëmijë (familje të rëndomta) – vendosin të stopojnë në një kanal ku është duke u transmetuar një debat politik me temë diskutimi ‘rezultati i zgjedhjeve.’
Pse mendoni se mund të na interesojë shumë një mendim i dikujt për rezultatin e zgjedhjeve? Fundja, ne rezultatin e kuptuam…
Aq seriozisht merret puna e këtyre debateve, sa që investojnë me mijëra e mijëra euro nëpër studio gjigante, ku të njëjtit personazhe do të diskutojnë çështje politike, shëndetësore, të arsimit dhe madje edhe zhvillime ndërkombëtare.
Mungesë kreativiteti, vullneti e gatishmërie tash e sa vjet janë sfidat që asesi nuk po mund t’i kalojnë televizionet kosovare.
Edhe ato pak tentativa që bëhen për të krijuar materiale më interesante, vijnë si pasojë e inspirimit nga televizionet shqiptare të cilat sigurisht se janë të mençura sa duhet që të inspirohen në gjigantë globalë televizivë, e jo te fqinji më i afërt siç ndodhë te ne.
E trishtë dhe e dhimbshme ta themi, por imagjinoni emisionet si ‘It’s My Love’ e dikur ‘Shpija e Kosovës’ çfarë dallimi si ‘nata me ditë’ kanë kur i krahasojmë me burimin e tyre të inspirimit, ‘Përputhen’ respektivisht ‘Big Brother’.
Nëse do të mund të parafrazonim me një fjalë programet kosovare, do të ishte ‘kopje e keqe e programeve të Shqipërisë’. Periskopi.com/