Shqipëria hap sot negociatat e anëtarësimit për grup-kapitullin e parë me BE

Shqipëria hap sot negociatat e anëtarësimit për grup-kapitullin e parë me BE

Dita e sotme, 15 Tetor, pritet të shënjojë një hap historik për vendin tonë, përsa i takon rrugëtimit në Bashkimin Europian.

Shqipëria do të hapë negociatat me BE, për grup-kapitullin e parë. Dje (14 Tetor) u firmos edhe marrëveshja e 6 liderëve të Ballkanit Perëndimor me BE për Procesin e Berlinit, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Takimin që do mbahet në Luksemburg, do jetë i pranishëm edhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama, bashkë me ekipin që do përfaqësojë Shqipërinë.

Nga sot, nis dhe shqyrtimi i grup- kapitullit të parë, një ndër më të rëndësishmit, pasi prek fusha thelbësore, siç janë; drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike. Në këtë grup, siç quhet ndryshe edhe ‘bazat’ ose ‘themeloret’, përfshin edhe prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar.

Ky grup-kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Ndërkohë, dita e sotme shënon edhe mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014. BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022.

Grup kapitulli i parë për të cilët Shqipëria hap negociatat
-Funksionimi i institucioneve demokratike
-Reforma e administratës publike
-Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
-Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
-Kriteret ekonomike
-Kapitulli 5 – Prokurimi publik
-Kapitulli 18 – Statistikat
-Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

Ekipi që përfaqëson Shqipërinë nesër në Luksemburg
Kryeministri Edi Rama
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani
Kryenegociatorja Majlinda Dhuka
Ambasadori Ferit Hoxha
Zv.ministrja e Jashtme, Megi Fino
Zv.ministri i drejtësisë, Tedi Tobi
Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari
Drejtoresha e bashkëpunimit evropian në Ministrinë e Jashtme
Drejtoresha e DAP
Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli
Drejtoresha e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta
Departamenti i politikës dhe integrimit në kryeministri

Shpërndaje në: