Shqipëria është e gatshme për nisjen e kualifikimeve për Euro 2024, Sylvinho synonë rezultat pozitiv ndaj Polonisë

Shqipëria është e gatshme për nisjen e kualifikimeve për Euro 2024, Sylvinho synonë rezultat pozitiv ndaj Polonisë

Kombëtarja shqiptare është e gatshme për fillimin e kampanjës kualifikuese të Euro 2024.

Kuqezinjtë i kanë mbyllur mbrëmë përgatitjet për ndeshjen e parë të këtyre eliminatoreve, të cilën do ta zhvillojnë sonte në Varshavë ndaj Polonisë.

Delegacioni kuqezi ka udhëtuar dje paradite drejt tokës polake, duke mbërritur në mesditë për t’u akomoduar menjëherë në hotel.

Pas një pushimi, skuadra i është drejtuar stadiumit të ndeshjes PGE Naradowy dhe fillimisht trajneri Sylvio Mendes Campos Junior ka dalë në konferencën zyrtare për shtyp së bashku me sulmuesin Sokol Cikalleshi dhe më pas ekipi ka zbritur në fushë.

“Jemi gati për ndeshjen me Poloninë. Pas dy muajsh e gjysmë pune, për të njohur të gjithë lojtarët shqiptarë, flasim praktikisht për 70 lojtarë të monitoruar nga stafi, kemi parë 240 ndeshje dhe zgjodhëm 23 për këtë ndeshje të parë kualifikuese. E dimë që është ndeshje e vështirë, por do të luhet, janë 90 minuta për t’u luajtur. Janë të fortë, por jemi të lumtur me punën me të gjithë dhe atmosferën që kemi filluar të krijojmë me ta. Kemi një shans gjithmonë por të gjithë së bashkë është më e lehtë”, u shpreh fillimisht trajneri brazilian.

“Jam i bindur që nesër do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe në fushë do të jenë më të mirët. Ajo që ndodhi me Poloninë është normale, vjen në këtë grup si favorite por unë nuk nxjerr konkluzione pas asaj që ndodhi me Çekinë. Ne duhet të zbresim në fushën e lojës të përqendruar, të luajmë fort dhe të realizojmë mirë detyrat tona për të cilat kemi punuar këtë javë”, shto Silvinho, që më pas u ndal edhe te atmosfera në skuadër.

“Atmosfera është mjaft e mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme në futboll. Kam punuar 6 ditë dhe jam shumë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve. Futbolli është shumë i bukur, por unë nuk kam frikë. Polonia është shumë e fortë dhe vjen si favorite kryesore. Është shumë e rëndësishme që të shkojmë në fushën e lojës dhe të tregojmë diçka ndryshe. Përveç anës tekniko-taktike, duhet të nxjerrim në pah edhe shpirtin kuqezi, pasi edhe një pikë është shumë e rëndësishme në rrugëtimin tonë.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të 23 lojtarët e grumbulluar kanë udhëtuar me ekipin dhe janë stërvitur normalisht në një seancë pa shumë ngarkesa dje dhe më shumë të fokusuar tek ushtrimet me top dhe improvizime të situatave të ndryshme të lojës.

Rregullisht janë stërvitur dhe Thomas Strakosha, Myrto Uzuni dhe Armir Abrashi, i cili e ka kaluar gjendjen gripale dhe është i gatshëm gjithashtu për të luajtur në këtë premierë të edicionit.

Stafi teknik ka punuar vazhdimisht me detajet për të përgatitur ekipin për çdo situatë, njofton Federata Shqiptare e Futbollit.

I gjithë grupi është shfaqur i karikuar, duke kënaqur pritshmëritë e stafit teknik në drejtim të grintës dhe dëshirës për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për objektivat e Kombëtares.

Gjithashtu, një numër i konsiderueshëm tifozësh shqiptare do të jenë të pranishëm në stadiumin e Varshavës për të mbështetur kuqezinjtë në këtë rrugëtim të ri.

Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë do të nisë në orën 20:45.

 

Shpërndaje në: