Shqipëria e Serbia, me marrëveshje kulturore në konferencën pa Kosovën

Shqipëria e Serbia, me marrëveshje kulturore në konferencën pa Kosovën

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, dhe homologu i saj nga Serbia, Vladan Vukosavleviq, kanë hedhur firmat në një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës midis dy vendeve. Këtë e kanë bërë në kuadër të konferencës dyditore “Nxitja e kulturës për zhvillim të qëndrueshëm”, që ka përfunduar të mërkurën në Tiranë, pasi Shqipëria sivjet kryeson Këshillin e Ministrave të Kulturës për Evropën Juglindore, këshill ky anëtar i të cilit nuk është edhe Kosova. Ani pse ishte ftuar në cilësinë e vëzhguesit, ministri i Kulturës i Kosovës, Kujtim Shala, nuk ka marrë pjesë. MKRS-ja të mërkurën vonë nuk ka dhënë sqarime në lidhje me mospjesëmarrjen, përderisa e ka konfirmuar se është ftuar.

Ministrat e Kulturës së shteteve si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Maqedonia janë bërë bashkë në kryeqytetin shqiptar që të shikojnë mundësitë e bashkëpunimit ndërshtetëror, përderisa në konferencë, UNESCO-ja, Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit.

Nënshkruesit e marrëveshjes midis Shqipërisë e Serbisë e kanë cilësuar atë si historike, shkruan Koha.net

Kumbaro-Furxhi dhe Vukosavleviq, janë pajtuar për bashkëpunimin kulturor midis institucioneve dhe organizatave të ndryshme të të dyja vendeve, në shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e politikave në art, kulturë dhe trashëgimi kulturore. Ministri serb, Vukosavleviq, e ka vlerësuar marrëveshjen “si një moment historik për bashkëpunimin kulturor mes vendeve”. Ka shprehur vullnet të plotë për të mbështetur maksimalisht çdo nismë kulturore mes dy vendeve. / KultPlus.com 

Shpërndaje në: