“Shqipëria, e rrezikshme”, trajneri Daliç: T’i marrim seriozisht, ishin të shkëlqyer gjatë fazës eliminatore

“Shqipëria, e rrezikshme”, trajneri Daliç: T’i marrim seriozisht, ishin të shkëlqyer gjatë fazës eliminatore

Vlerësimin për veten padyshim që duhet ta kenë shumë të madh. Futbollistët e kombëtares së Kroacisë janë ata që kanë shkaktuar tronditje të fuqishme në Kupat e Botës, duke mundur radhazi Gjermaninë, Argjentinën e Mesit, Anglinë dhe superfuqinë Brazil.

Trajneri i kësaj kombëtareje, Zllatko Daliç, ka një paralajmërim kur vjen puna për njërin nga rivalët në Euro 2024, Shqipërinë.

Ish-trajneri i Dinamos së Tiranës, që ka nisur përgatitjet në Zagreb me lojtarët e tij, e vlerëson kështu grupin në Gjermani, në një intervistë për televizionin rajonal “N1”, ku më shumë fjalë ka për kuqezinjtë.

“Është grupi më i vështirë në Kampionatin Europian. Kampionët e Europës, italianët. Kampionët e Ligës së Kombeve, spanjollët. Shqiptarët, që kanë qenë të shkëlqyer në fazën eliminatore dhe janë shumë të rrezikshëm. Duhet t’i marrim shumë seriozisht. Grup i vështirë, ndeshja e parë ndaj Spanjës, e fundit kundër Italisë. Na duhen 4-5 pikë që të kalojmë grupin, por duhet të jemi sa më lart në grup që më tej të kemi kundërshtar sa më të lehtë”.

Daliç drejtoi Kroacinë në finalen e Kupës së Botës në 2018 në Rusi dhe në vendin e tretë në Botërorin e Katarit, por thotë se objektivi kryesor është të kalohet grupi.

Ballkanasit nuk janë ndër favoritët për Evropianin, diçka me të cilën janë mësuar, dhe gjithmonë i kanë hedhur poshtë parashikimet.

Shpërndaje në: