Shqipëria dhe Kosova në kërkim të një të ardhmeje të përbashkët
Prej vitit 2008 Shqipëria dhe Kosova po përpiqen të akomodojnë marrëdhëniet e tyre si dy shtete të pavarura.
Tingëllon si paradoksale dhe ironike: ajo ç’ka mendohej se do të ishte një sipërmarrje e lehtë dhe e garantuar nuk duket të jetë e tillë. Një arsye, për të cilën nuk mund të fajësohen as Tirana dhe as Prishtina, është e kaluara, ndarja dhe mungesa e gjatë e komunikimit midis dy shoqërive, elitave, mungesa ose lidhjet shumë të dobëta të të dy tregjeve.
Lidhjet e tregjeve midis Shqipërisë dhe Kosovës ishin natyrore, në mënyrë të veçantë në pjesën Veriore dhe Lindore të Shqipërisë, deri në dekadën e parë të shekullit të njëzetë. Por vendimi i fuqive europiane për të njohur një shtet shqiptar më 1913 i la jashtë qytetet e pastra shqiptare, si Prizreni dhe Gjakova, duke e ndërprerë të njëjtin treg natyror dhe të njëjtin qytetërim. Gjatë më shumë se njëqind vjetëve të historisë së shtetit shqiptar, Shqipëria dhe Kosova kanë funksionuar si tregje të ndara. Krijimi, për një kohë të shkurtër, i një Shqipërie natyrore, pothuajse në kufijtë e saj etnikë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga Gjermania naziste, mbeti shumë larg funksionimit të një shteti, tregu dhe administrate të përbashkët. Megjithëse ka kaluar një dekadë qysh nga Shpallja e Pavarësisë ekonomia zbulon edhe mospërputhje të tjera midis prirjeve për të bashkëpunuar dhe realitetit. Krijimi i një tregu etnik midis Shqipërisë dhe Kosovës mund të duket si një çështje zhvillimi natyror, duke pasur parasysh se i përkasin të njëjtit komb. Tani që Kosova është shtet i pavarur, prirja natyrore duket të jetë vërtet ajo e integrimit. Megjithatë ekonomia është një nga lidhjet më të dobëta në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës. Me qëllim që të kuptojmë atë që duket si anomali në marrëdhëniet midis dy vendeve, së pari, duhet hedhur vështrimi prapa.
Gjatë shekullit të kaluar, tregjet dhe ekonomitë e të dy vendeve kanë vepruar në izolim të plotë nga njëri-tjetri. Lidhjet tregtare të fillimit të shekullit të njëzetë, të ndikuara nga sundimi i gjatë otoman, u shkatërruan me dekada të tëra. Kosova u bë pjesë e tregut të gjerë jugosllav, kurse Shqipëria u mbyll gradualisht në vetvete. Vitet e vështira 1990, kur regjimet komuniste u shembën dhe Jugosllavia u shpërbë, sigurisht që nuk ishin të favorshme për tregti të ligjshme.
Së dyti, për shumë dekada, të dyja ekonomitë kanë qenë kryesisht agrare dhe shumë shpesh në një nivel pak të zhvilluar. Në mënyrë të ngjashme me të gjitha vendet e Ballkanit shkalla e industrializimit në Shqipëri dhe Kosovë mbetet e ulët deri më sot dhe kjo e pengon integrimin në sektorët e tanishëm ekonomikë fitimprurës në shkallë globale.
Së treti, tregjet dhe ekonomitë e vendeve ballkanike po orientohen në përgjithësi drejt vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe sidomos në vendet e afërta, si Italia dhe Greqia. Shkëmbimet tregtare midis vendeve ballkanike, që nuk janë anëtarë të BE-së, janë larg potencialit të tyre, ndërsa tregjet mbeten të varfër. Forcimi i lidhjeve ekonomike midis Kosovës dhe Shqipërisë është me rëndësi themelore për përparimin ekonomik të të dy vendeve. Nëpërmjet Shqipërisë, Kosova ka dalje në det, si edhe një zgjerim të tregut të saj shumë të vogël. Autostrada Durrës-Kukës, e njohur si “Rruga e Kombit”, ka sjellë në përgjithësi ndryshime të dukshme në infrastrukturën rrugore midis dy vendeve dhe do ta lehtësojë mjaft shfrytëzimin e Portit të Durrësit nga Kosova.
Sfera sociale dhe kulturore është më dinamike. Në një farë shkalle, Shqipëria dhe Kosova duket sikur paraqesin shoqëri të ndryshme dhe nivele të ndryshme modernizimi. Feja dhe familja luajnë një rol sasior dhe ndoshta cilësor të ndryshëm në strukturën sociale të shoqërisë së secilit vend, por në të njëjtën kohë, të dyja shoqëritë pasqyrojnë tipare të përbashkëta që lidhen me shkallën e ulët të zbatimit të ligjit, organizimin e dobët të bashkësive, etj.
Lidhjet dhe bashkëpunimi midis dy shoqërive janë gjithsesi të dobëta dhe jo thelbë- sore. Në shumë zhvillime që lidhen me shoqërinë, shtetin, kulturën, arsimin dhe medien, Kosova duket gjithnjë e më shumë e ngjashme me Shqipërinë. Megjithatë duhet diskutuar nëse kjo do të thotë se Shqipëria po eksporton një model apo nëse kjo është thjesht një manifestim i zhvillimeve kontradiktore të vetë shoqërisë kosovare?
Shqipëria ishte nga vendet e para, që njohu pavarësinë e Kosovës, çka duket të jetë kontributi i vetëm në njohjen e sovranitetit të Kosovës si shtet pavarësisht nga pretendimet dhe zotimet e diplomacisë shqiptare për të lobuar për njohje të reja.
Gjatë një dekade në marrëdhëniet bilaterale, ndonëse ka më shumë entuziazëm dhe natyrisht më pak pengesa, ka pak substancë. Duket se aty është ende mbizotëruese kultura e tregjeve në kohën e ishJugosllavisë, kur Kosova ishte një krahinë e Federatës dhe lidhjet me Shqipërinë ose ishin të zbehta, ose mungonin krejt. Kësisoj, Kosova një ish-njësi e Federatës Jugosllave ka zhvilluar një kulturë për tregjet dhe shkëmbimet me njësitë e tjera të Jugosllavisë, por jo me Shqipërinë. Kjo është arsyeja që ish-pjesët e Jugosllavisë, tashmë të gjitha shtete të pavarura, nga pikëpamja ekonomike janë drejt kthimit te përvoja e më- parshme (Back to the future). Për Shqipërinë, kur është fjala për marrëdhëniet ekonomike me Kosovën nuk mund të ketë një kthim te përvoja e mëparshme, nëse përjashtojmë sigurisht kthimin përpara vitit 1913, kur qytetet kryesore të Kosovës ishin një pjesë integrale dhe funksionuese ekonomike me Shqipërinë e Veriut. Ndërkaq, ideja e krijimit me domosdo të një tregu të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës mbi baza etnike, pavarësisht nga dëshirat dhe parullat patriotike, populiste, duket se nuk funksionon. Të dy tregjet në Shqipëri dhe Kosovë reflektojnë një shkallë të ulët funksionaliteti dhe përbashkësia etnike është e sigurt se nuk i ndihmon dot. Pavarë- sisht përmirësimit të infrastrukturës midis të dy vendeve dhe përpjekjeve të të dy qeverive ende nuk është e mundur të jetësohet një marrëdhënie ekonomike e shëndetshme. Gjatë tre vjetëve të fundit, Shqipëria ka marrë nismën për mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, për të shtyrë përpara bashkëpunimin bilateral, kryesisht në fushën ekonomike,por rezultatet ende nuk janë të dukshme. Gjatë katër pesë vjetëve të fundit midis të dy vendeve janë nënshkruar një numër marrëveshjes në fushën ekonomike, të arsimit apo të kulturës, por shumica e këtyre nuk përmbajnë instrumente konkrete apo akte nënligjore që do të shtynin përpara në mënyrë të veçantë marrëdhëniet ekonomike. Marrëveshjet vëllazërore ndërmjet dy shteteve u ngjajnë protokolleve të përgjithshme, ku palët angazhohen në parim për thellimin e bashkëpunimit, kur praktikisht midis të dy vendeve ekzistojnë barriera që e vështirësojnë komunikimin dhe bashkëpunimin ekonomik. “Shqipëria e Madhe” është Shqipëria ekonomike, por nga të dyja anët e kufirit nuk është duke u propozuar asnjë nismë serioze, asnjë instrument.
Varfëria e marrëdhënieve ekonomike midis të dy vendeve duhet kërkuar edhe te gjendja aktuale ekonomike e Shqipërisë dhe Kosovës, te shkalla e ulët e zbatimit të ligjit, niveli i korrupsionit, si dhe te influenca e monopoleve në ekonomitë e të dy vendeve.
Nga pikëpamja strategjike, Shqipëria dhe Kosova e shikojnë të ardhmen e tyre të përbashkët si anëtare të Bashkimit Europian dhe jo në krijimin e një shteti të përbashkët, siç spekulohet shpesh me idenë e Shqipërisë së Madhe. Në nivelin e shoqërive, shumica e qytetarëve shqiptarë në Shqipëri besojnë se marrëdhëniet me shtetin e Kosovës janë strategjike dhe qeveria duhet t’u kushtojë vë- mendjen e duhur. Ndërkaq shqiptarët në Shqipëri nuk e mbështesin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Vetëm 9 për qind e shqiptarëve besojnë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është pozitiv, përkundër 35 për qind që besojnë se kjo është negative, kurse 37 për qind të tjerë janë krejtësisht neutralë rreth kësaj çështjeje. Tabloja nuk është e njëjtë në Kosovë, ku 81 për qind e publikut mbështet unifikimin në një shtet të përbashkët. Megjithëkëtë, udhëheqësit politikë të Shqipërisë parapëlqejnë një lloj paqartësie, me teza plot ekuivoke, kur flasin për të ardhmen e dy shteteve, në përpjekje për të mos humbur qoftë edhe votat e nacionalistëve të mbetur, të cilët flasin ende për çështje kombëtare të pazgjidhur dhe e shikojnë zgjidhjen e saj si bashkim të dy shteteve. Aktualisht, në Shqipëri nuk ka një parti politike apo organizatë serioze që të mbështesë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në një shtet të përbashkët, përkundër Vetëvendosjes në Kosovë, me një platformë politike dhe aksione të qëndrueshme, por pa e rritur mbështetjen dhe kuotat në parlament. E kaluara me ndarjen e gjatë, qysh në lindjen e një shteti të pavarur në Shqipëri, lidhjet e pakta ekonomike, kulturore, njerëzore, ekonomitë e varfra, shkalla e ulët e funksionalitetit të shteteve dhe e demokracisë, si dhe prirjet dhe aksionet populiste në të dy shtetet, janë ato që përcaktojnë natyrën e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura.
Por një faktor i ri që duket se do të ndikojë në mënyrë më thelbësore dhe ndoshta më përcaktuese në të ardhmen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura, është afrimi ri i Shqipërisë me Serbinë.
Artikulli i mësipërm është pjesë e studimit “A new rapprochement between Albania and Serbia: The implications for Kosovo”