Shpresa të reja për një medikament që ngadalëson plakjen

Shpresa të reja për një medikament që ngadalëson plakjen

Një strategji kundër plakjes është testuar kohët e fundit. 14 vullnetarë, të prekur nga sëmundje të mushkërive, iu nënshtruan një trajtimi që kishte për qëllim largimin e qelizave toksike nga trupi.

Studimi është kryer në janar dhe konsiderohet si hapi i parë drejt senolitikës, ose ndryshe përdorimi i barnave për të pastruar trupin njerëzor nga qelizat e vjetra dhe toksike.

Disa studiues e shohin këtë strategji si të përshtatshme edhe për njerëzit e shëndetshëm që duan të ngadalësojnë procesin e plakjes.

Studimi është kryer nga disa klinika të Teksasit dhe Wake Forest University.

Dy ilaçet e përdorura për këtë test janë dasantib, që përdoret për trajtimin e leucemisë, dhe kuercetina, një lloj suplementi.

Pacientët që morën pjesë në studim vuanin nga një formë e avancuar e fibrozës pulmonare. Pas trajtimit me 9 doza të ilaçit, u vu re një përmirësim në aftësinë e pacientëve për të ecur dhe në aspekte të tjera.

Rezultatet janë pasuar nga entuziazmi komercial. Një kompani në Kaliforni ka nisur tashmë punën për një medikament senolitik, që parashikohet të përdoret te të sëmurët me osteoartrit.

Trajtimi vë në shënjestër qelizat  e vjetra, të cilat e kanë humbur aftësinë për t’u riprodhuar nëpërmjet ndarjes qelizore, por mbeten toksike.

Studiuesit thonë se largimi i këtyre qelizave nga organizmi ndihmon në plakjen e shëndetshme dhe parandalimin e sëmundjeve që vijnë prej saj.

Teste të tjera po kryhen në klinika të mëdha si “Mayo”, me pacientë që vuajnë nga sëmundje të rënda. Megjithatë, studiuesit shpresojnë t’i përdorin agjentët senolitikë për njerëzit e shëndetshëm për të ngadalësuar procesin e plakjes.(TemA TV)

Shpërndaje në: