Shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”, i akuzuari për spiunazh thotë se vëllait të tij i janë ofruar para për ta tërhequr deklaratën

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është dëgjuar dëshmitari Muharrem Qerimi, ndaj të cilit javën e kaluar Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për spiunazh, i cili tha që atij i janë ofruar para lidhur me tërheqjen e dëshmisë së vëllait të tij, Shpend Qerimi, lidhur me shpërthimin që ka ndodhur në lokalin “Sekiraqa” në vitin 2007.
Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M dhe P.S dhe ishin lënduar disa persona të tjerë.
“Më kujtohet pak, jo shumë mirë, jo shumë qartë, por e di që ka ardhë, që ka intervenu që Shpend Qerimi – vëllau im, me tërhek deklaratën lidhur me këtë rast. E di që ka ofru një shumë të parave, por unë nuk i kam marrë”, tha dëshmitari Qerimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në dëshminë e tij, dëshmitari Qerimi tha se kjo ofertë ka ardhur përmes dajës së tij Beq Beqa, ku sipas tij, kjo ofertë ka ardhur nga i akuzuari Fadil Sadiku, por shtoi se nuk është i sigurt.
“Sa më kujtohet mua atëherë e ka përmend Fadil Sadikun, pasi që kanë qenë të të njëjtës komunë si Beq Beqa. Në mesin e fjalëve e ka përmend Fadilin por nuk jam i sigurt nëse e ka dergu Fadili apo jo”, tha Qerimi.
Lidhur më ketë, i akuzuari Fadil Sadiku pyeti dëshmitarin se a është në dijeni lidhur me deklaratën që ka dhënë Beqa, pasi që sipas tij, ai e ka demantuar këtë që sapo tha dëshmitari, Qerimi tha që nuk ka dijeni për këtë.
Po ashtu, gjatë kësaj seance është dëgjuar edhe dëshmitari Selajdin Kamishi, i cili deklaroi se i njihte disa nga të akuzuarit.
Gjatë, dhënies së dëshmisë së Komshit, prokurori i rastit, Armend Hamiti, i lexoi një pjesë të deklaratës së tij të dhënë në polici, në të cilin është një mesazh ku dëshmitari ia kishte dërguar një kolegu të tij lidhur me shpërthimin e lokalit.
“Mund të citoj, “O *** ***, mirë koka rrafshu po edhe shkronjat po mi vrasin sytë….”, citoi prokurori Hamiti lidhur me mesazhin që kishte dërguar dëshmitari të kolegu i tij Besnik Hasani.
Tutje, në pyetjen e prokurorit Hamiti, se cila kishte qenë arsyeja e këtij mesazhi pasi që sipas mesazhit duket që dëshmitari kishte inkriminuar kolegun e tij, Besnik Hasanin, dëshmitari tha se që nuk i kujtohet.
Gjithashtu, gjatë kësaj seance dëshmoi edhe dëshmitari Maliq Gashi, i cili tha se një koleg i tij i kishte telefonuar pasi që kishte para diçka të dyshimtë.
“Unë kam qenë duke punu në UNDP në Pjeton si sigurim dhe më ka thirr kolegu dhe më ka thënë që po shoh diçka të dyshimtë, i kam thënë thirre policin”, tha dëshmitari Gashi.
Tutje, ai tha që pas disa çasteve nga kjo bisede kishte ndodhur shpërthimi.
Paraprakisht, gjatë kësaj seance janë dëgjuar edhe dëshmitarët Luan Kadriu dhe Fadil Berisha, të cilët thanë që mbeten prapa dëshmisë së tyre të dhënë në polici.