Shpaloset tradita e Korçës në Prishtinë

Shpaloset tradita e Korçës në Prishtinë

Pipa (78) ka energji të këndojë mbi dhjetë këngë pa u ndalur. E zotëron skenën tash e më shumë se gjysmë shekulli, prej viteve ’60, kur nga e ashtuquajtura “Estrada e ushtarit” u bë pjesë e “Estradës së qytetit”, shkruan sot “Koha Ditore”.

“E kam pasur ëndërr të vij këtu në Prishtinë”, thotë ajo pas këngës “O moj korçare”. E në Prishtinë bashkë me bashkëpunëtorë e ka sjellë Mikaela Minga për të promovuar librin e saj në shqip e italisht “Spanja Pipa dhe kënga urbane korçare” që është pjesë e temës së doktoraturës së Mingës. Promovimi i librit në teatrin “Dodona” në Prishtinë është bërë duke iu prezantuar të pranishmëve edhe vetë përmbajtjen e tij prej 12 këngësh.

“Më falni, sepse mosha e bën të veten”, ka thënë Pipa të martën derisa shoqërohej edhe nga Agron Murati në lahutë, Tomor Selimi në kitarë dhe mandolinë. “Do të vdes moj nënë” është kënga për të cilën para se të nisë ta këndojë, Pipa ka thënë se e bën shumë të ndjeshme.

“Jam shumë alegro, vazhdoj të këndoj dhe nuk jam ndarë nga shoqëria e teatrit, pavarësisht që mosha iku. Ndiej kënaqësi kur vete në teatër. Kisha shumë dëshirë të jem në Prishtinë. E kam pasur ëndërr këtë. Nuk vija dot më herët. Gjatë rrugës thosha po ku është kjo Prishtina”, ka thënë Pipa pas koncertit, për të cilin është zgjuar në ora pesë të mëngjesit.

Shpërndaje në: