Shpagimi i natyrës

Shpagimi i natyrës

Kryefjala e këtij shekulli është klima që po ndryshon, por diskutimi bëhet serioz kur bëhet fjalë për faturat financiare të motit ekstrem në buxhetin vjetor të çdo qeverie. Sa i vërtetë është moti ekstrem dhe sa të kripura janë faturat financiare?

Jemi vetëm në gjysmën e parë të vitit dhe forcat e natyrës po godasin pa mëshirë. Është Australia viktima më e madhe e natyrës për vitin 2020, ku i nxehti ekstrem shkaktoi zjarre katastrofike në ishullin-kontinent. Më 1 janar të këtij viti, qindra turistë dhe vendas u evakuuan nga qytetet lindore për shkak të zjarreve masive që përfshinë Australinë. Viti 2020 e gjeti Australinë me tetë milionë hektarë të djegur si pasojë e më shumë se 200 zjarreve ekstreme në kontinentin e largët, të cilat detyruan ushtrinë dhe marinën australiane të ndërhyjë për të shpëtuar jetën e të paktën 1000 personave të izoluar në ishullin e Malakotas.

Dëmet e shkaktuara nga zjarret në Australi vlerësohen si katastrofike jo vetëm nga vlera financiare, por edhe nga pikëpamja mjedisore, pasi miliona hektarë me toka e pyje u dogjën duke çliruar tonelata me dioksid-karboni në atmosferë. Kjo tablo nxihet akoma më tepër nga humbja e rreth gjysmë milioni kafshë e shpendë prej faunës së rrallë australiane. Pas 3-4 muaj në flakët e ferrit dhe si në një lojë diabolike, natyra sërish godet Australinë me përmbytjet e fillim-shkurtit si pasojë e reshjeve të shumta, më intensivet e 30 viteve të fundit. Reshje intensive dhe përmbytje masive rrezikuan jetën e miliona banorëve në shtete si Nju Sauth Uells dhe Kuinslend, të cilat qëndruan për 4-5 ditë në mbretërinë e ujit.

Ditët e fundit të janarit e gjetën Afrikën Lindore të pushtuar nga kolonitë e karkalecave të shkretëtirës, duke rrezikuar seriozisht sigurinë ushqimore për disa shtete të kontinentit të varfër. Karkalecat udhëtuan nga Jemeni në Etiopi dhe më pas në Eritre dhe Somali, duke shfarosur kullotat dhe dëmtuar qindra mijëra blegtorë vendas. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, miliarda karkaleca migruan në Kenia, duke shkatërruar hektarë me bimësi të gjelbër. Zgjidhja ndaj këtij zaptimi duhet të ishte e shpejtë, në mënyrë që stina e shirave, që për Afrikën fillon në mars, të mos lejonte shumimin e mëtejshëm të këtij insekti të rrezikshëm për agro-bujqësinë e këtyre rajoneve. Prandaj, dhjetëra avionë kryen spërkatje me pesticide mbi kolonitë pushtuese prej miliarda insektesh.

Dhe vërtet, muaji prill solli reshje të jashtëzakonshme pikërisht në zonat lindore të Afrikës, duke shkaktuar përmbytje masive në disa shtete. Mbi 260 afrikano-lindorë kanë humbur jetën, ndërsa qindra të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre, të rrëmbyera nga vërshimet lumore dhe rrëshqitjet e tokës. Reshjet dhe përmbytjet vijuan në këto zona të Afrikës edhe në gjysmën e parë të muajit maj, duke thelluar akoma më tepër mungesën e sigurisë ushqimore, sigurisë së jetës dhe varfërinë për popujt e Afrikës Lindore.

Kushtet e motit ekstrem nuk kursyen as Indonezinë; kryeqytetasit në Xhakarta e kaluan ndërrimin e viteve në kushtet e vërshimeve të egra dhe përmbytjeve, ku 40 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u shpëtuan nga skuadrat e emergjencave civile. Sipas Agjencisë indoneziane të Klimës, reshje dhe vërshime të tilla nuk ishin vrojtuar për gati 150 vite vrojtime klimatike në Indonezi dhe ishujt e Javës apo Balit.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një dimri të ashpër, u përballën ditët e para të marsit me stuhi tornadosh të forcës 4, ku shpejtësia e erës arriti deri 280 km/h. Disa tornado goditën njëherësh disa shtete si Tenesi, Alabama, Kentaki dhe Misuri, duke shkaktuar 25 humbje jete, mbi 300 persona të dëmtuar dhe qindra ndërtesa të shkatërruara, me një faturë financiare prej 1 miliard dollarë.

Shpagimi i natyrës nuk kurseu as Kontinentin e Vjetër, ku ishujt britanikë dhe brigjet perëndimore të Evropës përballuan stuhitë e Atlantikut për disa muaj me radhë. Deri në fillim të pranverës, Britania dhe një pjesë e Evropës Perëndimore u përball thuajse çdo fundjavë me ngjarje të motit ekstrem, duke bërë që popullsia në këto rajone të mbajë frymën për 2-3 muaj me radhë. Kanë shënjuar goditjen e tyre stuhitë Siara dhe Denis, të cilat, përveç Britanisë, pushtuan për gati 10 ditë të gjitha shtetet e Bregut Perëndimor, duke rrezikuar jetën e miliona evropianëve dhe duke vënë në vështirësi qeveritë e këtyre vendeve.

Në normalitetin e qershorit, qielli është i kthjellët dhe reshjet mungojnë, por nuk po ndodh kështu në Shqipëri. Dita nis e kthjellët, nxihet mesdita krejt papritur nga stuhi që sjellin rrebeshe shiu dhe breshëri por sërish kthjellohet mbrëmja dhe nata. Kjo nuk është klima mesdhetare që shqiptarët kanë jetuar ndër shekuj, këto janë devijimet e motit dhe klimës që çdo ditë e më shumë i vrojtojmë, përballemi me to madje, duke paguar fatura të shtrenjta për ekonominë tonë të brishtë.

Shqipëria nuk është ishull i vetmuar, është pjesë e përballjes së egër ndërmjet Tokës dhe atmosferës së saj e cila, në fakt, u krijua të mbrojë vetë Tokën. Të gjitha këto nuk janë thjesht kapriço të motit të një muaji apo viti, nuk janë as kapriço të klimës së një dekade, por është fytyra tjetër që natyra po i tregon njerëzimit, i cili ka modifikuar deri në qelizë mjedisin global.

Kemi modifikuar në mënyrën më të keqe të mundur mjedisin ku jetojmë. Por, a do të mundemi të modifikojmë klimën në favor të së ardhmes tonë apo do të na duhet të klonojmë Tokën në një tjetër planet? /A2/

Shpërndaje në: