Shokohen Barcelona e Real Madridi: Nuk mjafton të paguhet vetëm klauzola, ky është çmimi i Haalandit
Erling Haaland nuk do të jetë një shënjestër e lehtë për gjigantët spanjollë që duan ta shkëpusin nga Borussia Dortmund, pavarësisht një klauzole ekzistuese prej 75 milionë euro. Kaq është vetëm maja e ajsbergut, sepse me llogaritë e bëra, sipas Equipe, nevojiten gjithsej 300 milionë. Përfshirë komisionet për menaxherin Raiola dhe për babain e lojtarit.
Me pak fjalë, shumë pak janë klubet që mund të përballojnë sulmuesin, i cili në 16 paraqitje këtë sezon ka shënuar tashmë 19 gola dhe ka nënshkruar edhe 5 asist. Edhe për këtë arsye, Borussia Dortmund, me të cilën është ende nën kontratë deri në vitin 2024, është gati të rrisë pagën e tij në 16 milionë euro bruto. Katër më shumë se kapiteni Marco Reus. Kështu, Haaland do të bëhej lojtari më i paguar në historinë e klubit.
Sulmuesi i lindur në Leeds, megjithatë, ka vendosur të largohet, edhe pse nuk e ka zyrtarizuar ende lamtumirën. Së pari duhet konfiguruar operacioni i daljes. Ose më saktë, të gjendet një blerës solid. E lehtë vetëm në shikim të parë. Klauzola prej 75 milionësh ka tërhequr vëmendjen e të gjitha klubeve të mëdha evropiane, Real Madrid të parin. Një mendim e kanë kaluar nëpër mendje edhe Manchester United, Barcelona, Chelsea (nëse marrëdhënia me Lukakun do të përfundojë) dhe PSG (gjithashtu nëse Mbappé shkon te Real Madrid).
Nga ana tjetër, Bayern Mynih është tërhequr nga ankandi: “Ne nuk mund të ndërmarrim një rrezik të tillë në kohë krize”, tha presidenti i nderit Uli Hoeness. Sipas L’Equipe, Haaland kërkon mes 30 e 35 milionë në vit, për gjashtë sezone. Dhe kjo nuk është e gjitha, duke qenë se në fund duhet t’i garantohen 20 milionë komisione menaxherit Raiola dhe babait të tij Alf-Inge. Në total shifra rrumbullakoset te 300 milionë: shtrenjtë, në të vërtetë, shumë shtrenjtë, si titullon L’Equipe.