Shkruhet historia: Alfa Romeo zgjedh milionat e kinezëve, Zhou ngasësi i parë nga Kina në F1
Lajmi dihej prej ditësh, por tashmë ka mbërritur edhe zyrtarizimi: Guanyu Zhou do të zëvendësojë Antonio Giovinazzi në drejtimin e Alfa Romeos dhe do të garojë përkrah Valtteri Bottas në Kampionatin e ardhshëm Botëror të Formula 1.
Kinezi, ish-piloti i Ferrari Academy, është renditur i dyti në Kampionatin e Formula 2 dhe vjen në F1 me një sponsorizim të rëndësishëm prej 30 milionë euro dhe shtytjen e gjithë popullit kinez.
“Që kur hodha hapat e mi të parë në këtë sport, gjithmonë kam ëndërruar të arrij sa më lart – tha Zhou në momentin e nënshkrimit – dhe tani ëndrra është realizuar.
Është një privilegj të kem mundësinë të filloj karrierën time në Formula 1 me një ekip ikonë si Alfa Romeo Racing, një ekip që ka sjellë kaq shumë të rinj të talentuar në debutimin e tyre gjatë gjithë historisë së tij. E di që më pret një sfidë shumë impenjative, por mendoj se jam i përgatitur dhe do të kem pranë në ekip një pilot të nivelit të lartë si Valtteri Bottas.
Dua të falënderoj ekipin e Alfa Romeo Racing për këtë mundësi, qëllimi do të jetë të mësoj sa më shumë dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
Jam i vetëdijshëm se çfarë do të thotë të jesh piloti i parë kinez që ka mundësinë të garojë në Formula 1, është një pikë kthese e rëndësishme për të gjithë lëvizjen e motorsportit në vendin tim.
Do të ketë shumë shpresa dhe pritshmëri dhe ky aspekt do të më ndihmojë të rris më tej motivimin tim për të arritur gjithnjë e më shumë”.
Drejtori i ekipit, Vasseur, më pas përshëndeti Giovinazzin: “T’i thuash lamtumirë një piloti nuk është kurrë e lehtë, veçanërisht në rastin e Antonios, i cili ka qenë pjesë e ekipit për kaq shumë kohë. Ndërsa ndahemi, do të mbajmë kujtimet e kohëve të mira dhe do të marrim leksione nga ato të këqijat, duke ditur që këto momente na kanë bërë të rritemi së bashku si ekip. I urojmë Antonios më të mirën për të ardhmen e tij pas sezonit 2021: para kësaj, ne kemi ende tre gara për të marrë disa rezultate të mira së bashku dhe për të përfunduar vitin në mënyrën më të mirë”.