Shkrimtarja zvicerane porosit: Lexojuni fëmijëve libra shqip!
Autoren e shumë librave për fëmijë dhe pionieren e pedagogjisë Interkulturore në Zvicër, zonjën Silvia Hüsler e takova në shtëpinë e saj në pjesën e vjetër të qytetit të Cyrihut, në një pasdite janari me shumë diell. Takimi ynë në një ambient të ngrohtë e mikpritës dhe të rrethuar me libra, kishte qëllim njohjen tonë por mori formën e një interviste shumë interesante.
Zonja Hüsler shkruan dhe ilustron vet libra për fëmijë, i ka të përkthyera dhe të botuara ato në më shumë se 50 gjuhë të ndryshme të botës. Në mesin e tyre, gjuha shqipe zë një vend shumë me rëndësi. Librat e shkruar dhe të ilustruar nga ajo, janë libra mësimorë për nxënësit e shkollave të kantonit të Cyrihut. Disa nga ata libra u janë kushtuar edhe nxënësve të cilët si gjuhë të parë kanë një gjuhë tjetër.
Njohja me shqiptarët
Pyetjes sime se cila është lidhja e saj me shqiptarët dhe se që kur daton njohja e saj me kulturën shqiptare ajo i përgjigjet me entuziazëm se diku në vitin 2000, gjatë një vizite në Portugali me studentët e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut i lindi ideja që të mblidhte vargje dhe vjersha për fëmijët të cilët flasin gjuhën portugeze e banojnë në Zvicër të cilën ide pastaj e shndërroi në projekt. Pas kthimit në Zvicër dhe prezantimit të projekt idesë së saj para studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike ishte aty ishte i pranishëm edhe Mahir Mustafa, docent në SHL. “Ai spontanisht më propozoi që të bëjmë një projekt edhe në gjuhën shqipe. Kështu lindi libri me titullin “Princesha Ardita” i botuar në vitin 2001 i cili është një tregim në gjuhën shqipe dhe atë gjermane.
Në vazhdim, zonja Hüsler rrëfen se ajo ka vizituar edhe trojet shqiptare. “Vizitën e parë e bëra në Shqipëri diku kah viti 2000 bashkë me një numër të madh të zviceranëve të cilët kishin interes ta vizitonin Shqipërinë. Ishte një përjetim shumë i veçantë”, tregon ajo. Diku kah viti 2012, rikujton z. Hüsler, “kolegia ime, Katharina Washington më ftoi për një vizitë në Kosovë. Ajo, me shoqatën “Arsimi” ka realizuar projekte të ndryshme në Kosovë e ndër të tjera edhe projektin KOSOVISION CONTEST me nxënësit e klasave të pesta. Gjatë asaj vizite të bërë me ndihmën e KFOR it, i cili na e dha në dispozicion një xhip dhe një shofer ndihmës, pata mundësinë të vizitoja shumë regjione të Kosovës. Gatyre vizitave takova shumë nxënës, mësimdhënës e banorë nga regjione të ndryshme. Natyrisht, gjatë këtyre vizitave kisha mundësinë që të mblidhja edhe vargje e vjersha origjinale shqipe për fëmijë”, shtoi zonja Hüsler.
“Faleminderit”, fjala e vetme shqip që e dinte
E pyetur se çfarë kujton ajo nga vizita e parë e saj në Shqipëri ajo duke qeshur rrëfen një bisedë me një kamerier në aeroportin e Tiranës te i cili ajo porositi një kafe dhe se ishte hera e parë kur ajo e përdori fjalën Faleminderit, fjala e vetme shqip të cilën në atë kohë e dinte.
Gjatë vizitës time në shtëpinë e zonjës Hüsler, ajo. nga biblioteka e saj e pasur i nxirrte me radhë e pa përtesë librat e saj të cilat ishin të përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Ajo më rrëfente historikun dhe tematikën e secilit libër dhe kishte përherë fjalë shumë falënderuese edhe për Nexhat Malokun (kryetar i LAPSH) i cili i kishte ndihmuar në përkthimin e vargjeve dhe teksteve në gjuhën shqipe. Ajo lexonte me pasion vargjet në gjuhën shqipe dhe mundohej që t`i theksonte sa më me autenticitet.
Zotërimi i shqipes, bazë e mirë për mësimin e gjermanishtes
Sipas zonjës Hüsler, për të, si pedagoge, është jashtëzakonisht e rëndësishme që gjuha amtare e nxënësve me prejardhje të huaj me banim në Zvicër të ketë vendin meritor në përditshmërinë e shkollave ku ata ndjekin mësimin. Një bashkëpunim i shkollave në njërën anë dhe prindërve në anën tjetër, është shumë i nevojshëm në mënyrë që t`u mundësohet edhe prindërve një pjesëmarrje aktive në procesin mësimor dhe në arsimimin e fëmijëve të tyre. Një bashkëpunim i ngushtë mësimdhënës-prind do ta përforconte dhe avanconte gjuhën e familjes, pra gjuhën e parë me të cilën janë rritur fëmijët.
Silvia Hüsler këshillon prindërit shqiptarë që me fëmijët e tyre të komunikojnë sa më shumë në gjuhën e tyre amtare dhe të lexojnë me ta tregime e vjersha në gjuhën shqipe. Vetëm kështu mund tu pasurohet atyre fjalori i gjuhës dhe t`u krijohet një bazë e mirë edhe për mësimin e gjuhëve të huaja siç është edhe gjuha gjermane. Po ashtu, shton ajo, është shumë e rëndësishme që fëmijët të ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe.
Zonja Hüsler është edhe rrëfimtare dhe lexuese e rregullt e librave të saj nëpër biblioteka dhe nëpër shkolla. Shumë herë edhe prindërit e ndihmojnë duke lexuar në gjuhë të ndryshme.
Librat shqip të Silvia Hüsler
Librat Interkulturorë dhe të ilustruar nga Silvia Hüsler e të përkthyera edhe në gjuhën shqipe janë: “Princesha Ardita”, “Vizita e ujkut të vogël”, “Ku i merr Babadimri gjërat e tij të mira”, “Kush i ndihmon Lepurit të Pashkëve”, “Macja Mice Mace”, “Përrallat mbijetojnë”, “Vjersha për fëmijë në mbi 50 gjuhë”, “Vargje për lepurin”, “Lala Lala Curalaja” etj.